
Waymo ka tërhequr taksitë e saj pa shofer nga autostradat në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi Kalifornia e ndaloi përkohësisht shërbimin e transportit me qira nga autostradat e saj për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Kompania, e cila është filial i Alphabet, shoqërisë mëmë të Google, ka kufizuar përkohësisht operacionet në autostrada, sipas një zëdhënësi të saj.
Taksitë pa shofer të Waymo po tërhiqen ndërsa debati mbi sigurinë publike shtohet në autostradat amerikane. Zëdhënësi deklaroi të martën se pezullimi do t'i mundësojë kompanisë të vlerësojë performancën e saj pas incidenteve në Kaliforni. Ai shtoi se Waymo i jep përparësi sigurisë.
Përveç Kalifornisë, pauza përfshin udhëtimet në autostrada edhe në qytetet e tjera ku Waymo ofron shërbimin, përfshirë Phoenix në Arizona, Austin në Teksas dhe Miami në Florida. Ky veprim pritet të shtojë debatin mbi rreziqet e taksive pa shofer, të cilat po fillojnë të zgjerohen në Evropë.
Waymo ka testuar automjetet e saj në Londër që nga viti i kaluar dhe planifikon të zgjerohet në Mynih të Gjermanisë dhe Madrid të Spanjës në vitin 2027. Një nga incidentet u bë viral javën e kaluar. Një video e xhiruar në autostradën Interstate 280 në San Francisko tregoi një automjet Waymo që po afrohej me shpejtësi dhe po përpiqej të parakalonte dy makina të Patrullës së Autostradave të Kalifornisë.
Makinat e policisë kishin dritat ndezur për të ngadalësuar qëllimisht trafikun pas një kamioni ndërtimi që lëvizte ngadalë. Ky episod çoi në ndalimin e përkohshëm të automjeteve Waymo nga autostradat e shtetit nga Departamenti i Motorizimit i Kalifornisë (DMV), përgjegjës për sigurinë rrugore, duke filluar nga 11 nëntori.
Sipas DMV-së, një incident tjetër i veçantë gjithashtu çoi në këtë vendim. Në atë rast, tre automjete autonome Waymo hynë në një zonë aktive ndërtimi të mbyllur në zonën e Gjirit të San Franciskos, sipas një zëdhënësi të agjencisë. Deklarata e agjencisë theksoi se operacionet e Waymo pa shofer në autostrada përbëjnë një rrezik të menjëhershëm për sigurinë publike.
Kjo për shkak të hyrjeve të përsëritura të automjeteve të saj në zonat aktive të ndërtimit ku ndodhen punëtorë, automjete dhe pajisje ndërtimi. Kufizimet do të mbeten në fuqi derisa Waymo të demonstrojë se ka ndërmarrë veprime korrigjuese efektive, shtoi deklarata. Waymo theksoi se askush nuk u lëndua dhe nuk pati përplasje në incidentin në zonën e ndërtimit.
Kompania thotë se kryen gjysmë milioni udhëtime në javë dhe se automjetet e saj përfshihen në 95 për qind më pak aksidente të rënda sesa makinat e drejtuara nga njerëz.
