Pse Hashim Thaçit nuk do t’i llogaritet paraburgimi në dënimin për pengim të drejtësisë?
Hashim Thaçi nuk do të përfitojë ulje të dënimit prej 17 muajsh për shkak të kohës së kaluar në paraburgim në Hagë. Ky është sqarimi që ka dhënë Gjykata Speciale, duke shpjeguar përse ish-presidentit të Kosovës nuk do t’i zbritet kjo periudhë nga dënimi për pengim të drejtësisë.
Ndryshe nga Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, të cilëve koha e kaluar në paraburgim iu llogarit si pjesë e dënimit, Thaçi nuk do të përfitojë të njëjtën mundësi. Arsyeja, sipas Speciales, është se muajt e paraburgimit të tij janë përfshirë tashmë në llogaritjen e dënimit të shkallës së parë për krime lufte.
Në një përgjigje për mediat, Dhomat e Specializuara të Kosovës iu referuan paragrafit 59 të përmbledhjes së aktgjykimit, ku shpjegohet se e njëjta periudhë paraburgimi nuk mund të llogaritet dy herë për dy dënime të ndryshme.
“Koha që z. Thaçi ka kaluar në paraburgim tashmë po llogaritet si kohë e vuajtur në kuadër të dënimit të tij të shkallës së parë për krime lufte. Prandaj, kjo kohë nuk mund të llogaritet dy herë edhe për këtë dënim të veçantë, për të cilin gjyqtari ka vendosur që të ekzekutohet pas dënimit të parë”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Speciale.
Kështu, dënimi prej 17 muajsh për Thaçin do të ekzekutohet pas dënimit të shqiptuar më herët në çështjen për krime lufte. Gjykata theksoi gjithashtu se kjo mënyrë e llogaritjes së dënimeve është në përputhje me praktikat e gjykatave dhe tribunaleve të tjera.
Ish-presidenti ka të drejtë të ankimojë aktgjykimin dhe dënimin në të dyja çështjet.
Për çfarë u shpall fajtor Thaçi?
Çështja për pengim të drejtësisë lidhet me përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë gjatë procesit gjyqësor për krime lufte. Sipas përfundimeve të gjykatës, Thaçi kishte organizuar tri grupe për të përcjellë udhëzime te persona që pritej të dëshmonin kundër tij.
Një pjesë e këtyre veprimeve, sipas aktgjykimit, kishte ndodhur gjatë vitit 2023, përmes personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Gjykata konstatoi se Thaçi kishte dhënë porosi të hollësishme lidhur me mënyrën se si dëshmitarët duhej të përgjigjeshin dhe çfarë deklaratash duhej të jepnin.
Në një nga rastet e përmendura gjatë seancës, më 2 korrik 2023, Fadil Fazliu kishte vizituar Thaçin në paraburgim. Sipas gjykatës, gjatë takimit ata kishin diskutuar për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa në procesin për krime lufte.
Thaçi e kishte cilësuar Mustafën si dëshmitar “vendimtar” dhe i kishte dhënë Fazliut udhëzime për t’ia përcjellë atij. Ndër porositë e përmendura në aktgjykim ishte edhe kërkesa që dëshmitari të përgjigjej shkurt, pa u zgjeruar në shpjegime.
“Shkurt, shkurt. Mos filozofo”, ishte një nga udhëzimet e cituara nga gjykata. Sipas vlerësimit të saj, Thaçi kishte këmbëngulur që Fazliu t’i shënonte porositë, në mënyrë që të mos harronte asnjë prej tyre.
Një tjetër episod lidhej me vizitat e Bashkim Smakajt, ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, më 9 shtator dhe 7 tetor 2023. Gjatë takimit të parë, Thaçi kishte diskutuar për dëshmitarin Bislim Zyrapi dhe kishte dhënë udhëzime lidhur me përmbajtjen e dëshmisë së tij.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai kishte kërkuar që Zyrapi të mos ngatërronte çështjet e Qeverisë së Përkohshme me ato të Shërbimit Informativ, të dallonte rolet e komandantëve dhe të mos e paraqiste organizimin e UÇK-së sipas modelit të ushtrive të Bosnjës dhe Jugosllavisë.
Në rastin e Isni Kilajt, i cili kishte vizituar Thaçin më 6 tetor 2023 së bashku me Fadil Kryeziun, gjykata konstatoi se ish-presidenti kishte zbuluar informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë. Mes tyre përfshiheshin edhe identiteti dhe deklaratat e mëparshme të një dëshmitari të mbrojtur.
Çfarë ndodhi me të bashkakuzuarit?
Në të njëjtin proces, gjyqtari Christopher Gosnell dënoi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim. Për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, këto dënime u konsideruan të shlyera.
Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata nuk arriti të vërtetonte të gjitha pretendimet e Prokurorisë për bashkëpunimin mes Thaçit dhe personave të tjerë. Për Kilajn nuk u gjetën prova se kishte ndërmarrë hapa për të kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur, ndërsa nuk u provua as përfshirja e Fadil Kryeziut në veprimet e pretenduara.
Po ashtu, nuk u vërtetua ekzistenca e një marrëveshjeje mes Thaçit dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për t’u përcjellë udhëzime tre dëshmitarëve të Prokurorisë. Gjykata konstatoi se nuk ishte ndërmarrë ndonjë hap thelbësor për realizimin e një marrëveshjeje të tillë.
Për sa u përket Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Isni Kilajt, nuk u gjetën prova të mjaftueshme se ata e kishin ndihmuar Thaçin në zbulimin e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët, ndonëse gjykata konstatoi se vetë Thaçi kishte zbuluar të dhëna të tilla.
Një pjesë e aktgjykimit trajtoi edhe një mesazh që Hajredin Kuçi i kishte dërguar Rrustem Mustafës, pas një daljeje të këtij të fundit në një emision televiziv, ku kishte komentuar provat kundër Thaçit. Megjithatë, gjykata nuk arriti të provojë se mes tyre kishte pasur një marrëveshje për të ndikuar te dëshmitarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



