Aleksandar Vuçiç ka vijuar përplasjet me Listën Studentore edhe në ditën e dytë të Kuvendit të ri të Serbisë, ku ish-presidenti tashmë është deputet i opozitës. Seanca e së mërkurës u përqendrua te zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, por diskutimet tepër të gjata dhe akuzat mes palëve penguan kalimin në votim.
Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet dhe ka shumicën parlamentare, ka propozuar Aleksandar Çupiçin për kryetar Kuvendi. Përballë tij është Stojan Radenoviç, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiçit.
Gjatë seancës, deputetët e studentëve akuzuan opozitën se po zvarriste procesin. Njëri prej tyre, Slobodan Bubnjeviç, vuri në dukje se Vuçiç kishte marrë fjalën 29 herë, ndërsa përfaqësuesi i Listës Studentore vetëm dy herë.
“Do ta marr fjalën edhe 20 herë të tjera, që qytetarët të dëgjojnë të vërtetën”, iu përgjigj Vuçiç.
Për të përshpejtuar zgjedhjen e kryetarit, Lista Studentore vendosi të hiqte dorë nga fjalimet e deputetëve të saj.
“Siç e shoh, disa këtu ende nuk e kanë kuptuar se Lista Studentore i fitoi zgjedhjet. E kuptoj që e keni të vështirë dhe po kërkoni hapësirë për të vazhduar tiradat dhe trillimet tuaja”, deklaroi përfaqësuesi i studentëve, Jugoslav Gashiç.
Por Vuçiç tha se nuk kishte asnjë detyrim t’i dilte në ndihmë Listës Studentore. Ai paralajmëroi se deputetët e opozitës do t’i përfundonin diskutimet deri të enjten në orën 13:00 dhe se kryetari i Kuvendit mund të zgjidhej pasditen e asaj dite.
Vuçiç kërkon shpjegime për shtatë apartamentet e kandidatit të studentëve
Përplasjet nuk u kufizuan vetëm te kohëzgjatja e seancës. Vuçiç ngriti akuza edhe ndaj Aleksandar Çupiçit, kandidatit të Listës Studentore për drejtimin e Parlamentit.
Ai deklaroi se kishte marrë informacione sipas të cilave Çupiç zotëron shtatë apartamente në një ndërtesë në Beograd dhe kërkoi që ai t’u shpjegonte qytetarëve origjinën e kësaj pasurie.
Deputetë të tjerë të SNS-së pretenduan se Çupiç kishte qenë investitor në ndërtim dhe se nuk e kishte përfshirë këtë fakt në biografinë e tij. Ata vunë në diskutim edhe mënyrën se si ishte prezantuar titulli i tij akademik.
Deputetët e Listës Studentore i kundërshtuan këto akuza. Dejan Shoshkiç kujtoi se çdo deputet ka detyrimin të deklarojë pasurinë pranë Agjencisë për Luftën kundër Korrupsionit.
Shaip Kamberi: Bashkëpunim me pushtetin e ri, por jo në kurriz të shqiptarëve
Në seancën e së mërkurës foli edhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi, i cili shprehu gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e rinj të pushtetit në Serbi.
Kamberi theksoi se ky bashkëpunim nuk do të bëhet në dëm të interesave të pakicës kombëtare shqiptare. Sipas tij, kërkesat e shqiptarëve mbeten të njëjta, me theks te barazia në institucionet shtetërore dhe në jetën e përditshme.
Ai njoftoi gjithashtu, në emër të deputetit Ahmedin Shkrijelj, se Partia e Veprimit Demokratik e boshnjakëve do të mbështesë kandidaturën e Aleksandar Çupiçit për kryetar të Parlamentit.
Mbështetje për kandidatin e Listës Studentore shprehën edhe disa përfaqësues të partive të pakicave të tjera kombëtare.