Kryesia e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka propozuar sot pezullimin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit, më pak se një muaj pasi kjo parti humbi zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Vendimi përfundimtar do të merret në Asamblenë Politike të EPP-së, më 7 dhe 8 dhjetor në Bruksel.

Nëse propozimi miratohet, SNS do të humbasë të gjitha të drejtat e anëtarësimit, përfshirë të drejtën e votës. Partia do të ketë një vit kohë për të përmbushur shtatë kushte, në të kundërt rrezikon përjashtimin e plotë nga EPP, ku është anëtarësuar në vitin 2016.

Sipas informacioneve jozyrtare të gazetës kroate Veçernji list, EPP kërkon që partia e Vuçiçit të shkëputet nga trashëgimia e politikës së Serbisë së Madhe të Sllobodan Millosheviçit, të ndalojë glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë e të krimeve të tjera të luftës.

Mes kërkesave është edhe përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme evropiane, ndërprerja e mbështetjes për politikat e presidentit rus Vladimir Putin dhe bashkëpunimi me autoritetet e reja në Serbi për kalimin paqësor të pushtetit.

EPP i ka ngritur gjithashtu SNS-së shqetësime për cenimin e lirisë së medias, korrupsionin dhe lidhjet e strukturave shtetërore me krimin e organizuar.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar qëndrimit ndaj Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte. Varrimi i tij në Beograd, në shtator të këtij viti, ku morën pjesë zyrtarë të lartë serbë, shkaktoi reagime në institucionet evropiane.

Lista e plotë e shtatë kushteve nuk është bërë ende publike.

Propozimi i pezullimit vjen pas 14 muajsh verifikimi të SNS-së nga EPP. Procesi nisi në shtator 2025, mes shqetësimeve për gjendjen e demokracisë në Serbi, trajtimin e protestuesve dhe respektimin e vlerave evropiane.

Propozimi është mirëpritur nga Karlo Ressler, drejtuesi i delegacionit të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në Parlamentin Evropian. Ai tha se EPP po ndërmerr hapa për çështje që HDZ i kishte ngritur prej vitesh, duke theksuar se familja politike evropiane nuk mund të pajtohet me glorifikimin e kriminelëve të luftës, kërcënimet ndaj vendeve fqinje apo mbështetjen për agresionin rus në Ukrainë.

Zhvillimi vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ku fitoi Lista Studentore, duke i dhënë fund 14 viteve të dominimit të SNS-së në pushtet. Parlamenti i ri u konstituua më 17 nëntor dhe vendi është në procesin e formimit të qeverisë së re.

Vuçiç u largua nga posti i presidentit të Serbisë në shtator për të drejtuar listën zgjedhore të SNS-së. Edhe pse nuk është më zyrtarisht kryetar i partisë, post që mbahet nga Millosh Vuçeviç, ai mbetet figura më me ndikim brenda saj.