Mësimi, ruajtja dhe certifikimi i gjuhës shqipe në diasporë ishin në fokus të një konference shkencore të organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.
Sipas organizatorëve synimi është krijimi i një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve, akademikëve, dhe aktorëve të tjerë që kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Mësimdhënia e gjuhës dhe kulturës shqiptare duhet parë jo vetëm si një përgjigje arsimore apo kulturore, por edhe si një investim strategjik në zhvillimin afatgjatë dhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe diasporës”, u shpreh Valbona Karakaci, Pedagoge e UNISHK.
Vëmendje e veçantë në këtë konferencë iu kushtua rolit të universiteteve shqiptare në përhapjen dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe jashtë vendit, si një nga elementët kryesorë për ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ e sheh këtë angazhim si pjesë të misionit dhe vizionit të tij për ndërkombëtarizimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik me diasporën shqiptare”, tha Blerta Dragusha, Rektore e UNISHK.
Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën u vlerësua si shumë e rëndësishme për të avancuar procesin e certifikimit të njohurive të gjuhës shqipe në diasporë, si dhe për të unifikuar standardet dhe praktikat e mësimdhënies.
“Dy drejtimet kryesore që na bëjnë bashkë në këtë tryezë janë zhvillimi i materialeve mësimore që përgatit Qendra e Botimeve për Diasporën prej shtatë vitesh, si dhe mundësimi i një formimi më të mirë të mësuesve të diasporës, të cilët, për fat të mirë, janë në një pjesë të konsiderueshme edhe mësues që kanë përfunduar pikërisht këtë universitet dhe që tashmë e ushtrojnë këtë profesion në vende të ndryshme të botës”, theksoi Mimoza Hysa, Drejtuese e Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Pjesë e konferencës ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Universitetit të Shkodrës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën. Përmes së cilës synohet hartimin e një kuadri kurrikular për formimin dhe certifikimin profesional të mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë.










