I ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Studio Live” në Report TV, meteorologu Hakil Osmani nga MeteoAlb foli për situatën meteorologjike në vend, duke u ndalur te reshjet e shiut, erërat e forta dhe ndikimi i ngrohjes globale në temperaturat e ajrit.

Sipas Osmanit, gjatë dy javëve e gjysmë të fundit vendi është përfshirë nga reshje të vazhdueshme shiu, kryesisht me intensitet mesatar. Megjithatë, në ditët në vijim pritet një dobësim i intensitetit të reshjeve, ndonëse moti do të vijojë të mbetet i paqëndrueshëm.

“Në ditët në vijim pritet një dobësim i intensitetit të reshjeve. Moti do të vijojë të mbetet i paqëndrueshëm, por aktualisht nuk ka sinjale për intensifikim të tyre apo për problematika të theksuara. Sa i përket hapësirës detare, erërat kanë arritur shpejtësi deri në 90 km/orë, duke sjellë probleme në trafikun detar. Edhe në vijim pritet të ketë erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë problematika të ndryshme, veçanërisht në aktivitetin detar.Për fat të mirë, sinjalet meteorologjike tregojnë se edhe pjesa e mbetur e muajit nëntor do të karakterizohet nga reshje shiu, por pa intensitete të larta. Reshjet do të jenë prezente, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar. Zonat veriore pritet të jenë më të prekura, pasi edhe gjatë këtij muaji kanë regjistruar sasitë më të larta të reshjeve. Ndërkohë, zonat qendrore dhe jugore do të jenë më të mbrojtura, ku reshjet pritet të jenë kryesisht me intensitet të ulët.”- u shpreh meteorologu

Sipas meteorologut, rritja e temperaturave po ndikon në karakteristikat e reshjeve, duke bërë që në periudha të caktuara të ketë më pak episode me dëborë.

“Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale kanë ndikuar në rritjen e temperaturave të ajrit, duke bërë që në periudha të caktuara reshjet e dëborës të jenë më të pakta dhe të favorizohen reshjet e shiut.”- u shpreh Osmani.