Lionel Messi në Kupën e Botës 2030? Trajneri Scaloni ka një plan për të

Lionel Messi mund të jetë sërish pjesë e kombëtares së Argjentinës në të ardhmen, por jo më si futbollist. Legjenda e futbollit botëror mund të rikthehet në një rol brenda stafit teknik të kampionëve të botës, me sytë nga Botërori i vitit 2030.
Ka qenë vetë trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ai që ka lënë të hapur këtë mundësi. Në një prononcim për mediat, tekniku u shpreh se dëshiron që Messi ta vazhdojë sa më gjatë karrierën si futbollist, por theksoi se dyert e kombëtares do të jenë gjithmonë të hapura për të.
Deklarata e Scalonit vjen në një moment kur pritet të ketë ndryshime në stafin teknik, pas largimit të Walter Samuel.
“Unë mendoj se ai do të vazhdojë të luajë edhe pas vitit 2030. Ai është tërhequr nga kombëtarja, por shpresoj që të vazhdojë karrierën si lojtar për aq kohë sa të jetë e mundur. Tani që Walter Samuel po largohet, Messi është gjithmonë i mirëpritur, sa herë që të dëshirojë”, u shpreh Scaloni.
Kështu, një rikthim i tetë herë fituesit të Topit të Artë pranë Argjentinës në një tjetër pozicion mbetet një mundësi, megjithëse deri tani nuk ka një vendim konkret për këtë skenar.




