Putin shkon në takimin me Trump dhe Xi Jinping me valixhen bërthamore me vete

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.11.2026, 20:16

Një pamje e pazakontë nga samiti i APEC në Shenzhen të Kinës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Televizioni shtetëror rus ka publikuar pamjet e një oficeri të marinës, i cili shihet duke mbajtur një valixhe të zezë që lidhet me sistemin e komandimit të forcave bërthamore të Rusisë.

Në video, gazetari rus Yevgeny Popov i drejtohet oficerit dhe e pyet nëse valixhja që mban është ajo bërthamore e presidentit Vladimir Putin. Përgjigjja e ushtarakut është e drejtpërdrejtë: “Po”. Gazetari e pyet sërish nëse bëhet fjalë pikërisht për atë valixhe dhe oficeri konfirmon: “Pikërisht ajo”.

Pajisja njihet si “Cheget” dhe është pjesë e sistemit rus të komandimit dhe kontrollit të arsenalit strategjik bërthamor. Ajo shërben si një terminal komunikimi i sigurt mes presidentit dhe drejtuesve të lartë ushtarakë, duke mundësuar transmetimin e autorizimeve për përdorimin e armëve bërthamore. Pra, nuk bëhet fjalë për një valixhe me një buton të thjeshtë që lëshon raketat.

Pamjet janë publikuar në një moment me rëndësi diplomatike, teksa Putin ndodhet në Kinë për samitin e APEC, ku merr pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me presidentin kinez Xi Jinping.

Sipas gazetës spanjolle “El País”, shfaqja e valixhes para kamerave mund të jetë edhe një demonstrim i qëllimshëm i fuqisë ushtarake ruse në prag të takimit mes tre liderëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit