Një dobësi kritike sigurie në gjuhën e programimit Java ka ngritur shqetësime në disa vende të botës, për shkak të rrezikut që hakerat ta shfrytëzojnë për të depërtuar në sistemet kompjuterike dhe për të ekzekutuar kode në distancë.
Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje kompanive dhe institucioneve që të instalojnë sa më parë përditësimet e sigurisë, me qëllim parandalimin e sulmeve të mundshme kibernetike. Për rrezikun ka paralajmëruar gjithashtu edhe kompania kineze e teknologjisë Tencent.
Shqetësimi është veçanërisht i madh në Korenë e Jugut, ku Java përdoret gjerësisht në sisteme dhe shërbime të ndryshme. Autoritetet atje kanë thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar masat parandaluese dhe mënyrat e kufizimit të rrezikut.
Dobësia mund t’u krijojë sulmuesve mundësinë të ndërhyjnë në sistemet kompjuterike, të ekzekutojnë kode pa autorizim dhe të shkaktojnë ndërprerje të funksionimit të tyre.
Autoritetet dhe kompanitë u kanë kërkuar përdoruesve dhe organizatave që të mos neglizhojnë përditësimet e sigurisë, pasi instalimi i tyre është një nga masat kryesore për të parandaluar shfrytëzimin e kësaj dobësie.


