Kërcënimet që vijnë nga Irani ndaj qytetarëve amerikanë janë rritur ndjeshëm, si brenda Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre. Paralajmërimi u bë nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, Jay Clayton, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington.
“Ne mbetemi të angazhuar për zbulimin, parandalimin dhe luftimin e planeve vdekjeprurëse iraniane, si jashtë ashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Clayton, duke theksuar se personeli amerikan në të dyja zonat po përballet me rrezik në rritje.
Paralajmërimi vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Irani ka kërcënuar se do të godasë forcat amerikane dhe aleatët e tyre në rajon, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj territorit iranian në shkurt. Sipas raportimit, këto sulme dhe kërcënimet e ndërsjella kanë vijuar edhe më shumë se tetë muaj pas nisjes së tyre.
Në një memorandum të muajit të kaluar, të siguruar nga Reuters, Clayton kishte paralajmëruar se Teherani kishte intensifikuar përpjekjet për të goditur personelin amerikan dhe se planet për sulme vdekjeprurëse ndaj qytetarëve të SHBA-së kishin arritur në faza të avancuara.
Ndërkohë, një raport i CNN, duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës amerikane, ngriti mundësinë që Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm me bombë të pistë në Uashington. I pyetur për këtë çështje gjatë seancës dëgjimore, Clayton nuk pranoi të komentonte raste konkrete, por theksoi se kërcënimet e kësaj natyre nuk janë të reja.


