
Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj denoncoi policët dhe zyrtarë të Komisariatit 1 se pasi e dhunuan të riun në Komisariat, shkuan në spital për t’i bërë presion që të ndryshojë dëshminë.
Përmes një videomesazhi ai akuzoi efektivët për dhunë e kanosje ndaj të riut teksa më herët kishin larguar avokatin e tij.
Jemi tek Urgjenca. Më thirrën me shpejtësi sepse Enea që ishte dhunuar dhe bëri publike një denoncim sepse ishte dhunuar dje në Komisariatin Nr.1 është marrë zvarrë nga shtrati ku ishte në pritje të mjekimeve, nga policia, ja ku i keni, ja policia ku është. Ky është oficeri gjyqësor, kështu thotë të paktën që do të marrë dëshminë. Këtu është një përfaqësues i Komisariatit Nr.1 ku ai është dhunuar. Këtu kemi një polic tjetër gjithmonë të Komisariatit Nr.1. Erdha, u detyrova të vija me shpejtësi sepse kishin larguar me forcë edhe avokatin e djalit që e shoqëronte. E morën e futën këtu në këtë dhomë dhe tani po bëjnë letrat dhe duan dëshminë e tij. Po bëjnë presion ndaj tij për t’u tërhequr nga denoncimi që kishte bërë.
Ky është një skandal i vërtetë. E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë. Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë. Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, shikojeni si e kanë bërë, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë. Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp.” – thotë Shehaj në videomesazh.
