
Zv/kryeministrja Albana Koçiu, thotë se buxheti 2027 përkthen rritjen ekonomike të vendit në mirëqenie për qytetarët. Koçiu theksoi se një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve: në shportën e ushqimeve, në faturën e karburantit, në të ardhurat e pensionistëve, në mbështetjen për fëmijët dhe në mundësitë për të rinjtë. Koçiu theksoi se Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike, por kjo fuqi nuk matet vetëm me shifra, investime apo me zhvillimin e vendit, por matet mbi të gjitha me ndryshimet që sjell në jetën e përditshme të njerëzve.
“Ne e dimë se rritja ekonomike nuk ndihet njësoj në çdo familje. Rriten pagat, por rriten edhe çmimet. Shtohen të ardhurat, por dhe nevojat dhe pritshmëritë e njerëzve. Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e familjes, një pensionist që llogarit çdo lek për ushqimet dhe ilaçet, apo një çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e tij, nuk e matin ekonominë me statistika, por me mundësinë për të jetuar më mirë”, nënvizoi Koçiu.
Ajo theksoi se buxheti i vitit 2027 me një vlerë historike prej 10 miliardë eurosh, vendos në qendër njerëzit dhe familjet shqiptare. “Kjo do të thotë më pak shpenzime për produktet bazë me uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produktet e shportës; 32 lekë më pak për litër karburant përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit; rritje më e madhe për pensionistët; më pak tatim mbi pagën për shtresat e mesme; mbështetje mujore për bebet gjatë pesë viteve të para; më shumë mundësi strehimi për familjet e reja; bursa më të larta për studentët në nevojë”, tha Koçiu.
Sipas saj, nuk mjafton që ekonomia të rritet, por ajo duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët. “Kjo është Shqipëria evropiane që duan të ndërtojmë, një vend më i zhvilluar ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim tek e ardhmja”, tha Koçiu.
