Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Paketa fiskale 2027: Biznesi në alarm, ekonomia në rrezik

VIDEO/ TVSH-ja rritet 21%, Azo: Do të shtrenjtohen biletat e urbanëve, energjia, produktet

21:04, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja Dorina Azo ka ngritur shqetësime për pasojat që mund të sjellë paketa e re fiskale, duke vënë në dukje se rritja e TVSH-së standarde në 21%, ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël dhe ndryshimet e tjera tatimore mund të shtojnë kostot për qytetarët dhe sipërmarrjen.

E ftuar në emisionin ‘Kush Paguan’ në SYRI TV, me moderatoren Klaudja Karabolli, Azo u ndal te ndikimi i ndryshimeve të TVSH-së në çmimet e produkteve të konsumit.

Sipas saj, ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nuk garanton ulje të çmimeve në të njëjtën masë, ndërsa rritja e normës standarde do të ketë efekt zinxhir në produkte dhe shërbime të tjera.

Ajo solli si shembull detergjentët, shampot dhe produktet e tjera të konsumit, të cilat do të preken nga rritja e TVSH-së. Sipas llogaritjeve të kontabilistëve, ulja e TVSH-së për produktet e shportës mund të reflektohet në një rënie të çmimeve deri në 10%, por kjo mund të neutralizohet pjesërisht nga shtrenjtimi i produkteve të tjera.

Një tjetër shqetësim, sipas saj, lidhet me transportin publik. Rritja e TVSH-së në 21% mund të sjellë shtrenjtimin e biletave të autobusëve, pasi formula e llogaritjes së tarifave merr parasysh edhe këtë taksë. Efektet e rritjes së TVSH-së, sipas gazetares, do të ndihen edhe në çmimin e energjisë.

‘Ky është një ndër debatet themelore të kësaj pakete fiskale. Studimet kanë treguar se ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nuk reflektohet në të njëjtën masë në uljen e çmimeve. Nga ana tjetër, rritja e TVSH-së standarde në 21% do të japë një efekt kaskadë.

Sipas llogaritjeve të kontabilistëve, ulja e TVSH-së mund të reflektohet në një rënie të çmimeve deri në 10%. Por, nga ana tjetër, do të shtrenjtohen produktet e tjera që përdorin qytetarët, si detergjentët, shampot dhe produkte të tjera të konsumit.

Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë: nëse një produkt kushton 40 lekë, me rritjen e TVSH-së në 21% çmimi do të shkonte rreth 45 lekë. Por nuk besoj se tregtarët do ta shesin me këtë çmim; përkundrazi, mund ta shesin për 50 lekë. Pra, pavarësisht rritjes së TVSH-së, çmimi për konsumatorin mund të jetë edhe më i lartë.

Një tjetër shqetësim real është ngritur nga shoqatat e transportit publik. Rritja e TVSH-së mund të sjellë edhe shtrenjtimin e biletës së autobusit. Kjo për shkak se formula aktuale e llogaritjes së tarifës së këtij shërbimi merr parasysh TVSH-në. Këshilli bashkiak përcakton një tarifë fikse për itineraret që mbulon autobusi, së cilës i shtohet TVSH-ja. Për rrjedhojë, me rritjen e saj në 21%, do të rritet automatikisht edhe vlera që përllogaritet në çmimin e biletës. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me çmimin e energjisë.

Një tjetër problem lidhet me biznesin e vogël. Pragu i regjistrimit për TVSH-në propozohet të ulet nga 5 milionë në 2 milionë lekë. Kjo do të thotë se bizneset me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Por çfarë do të sjellë kjo? Ky biznes do të blejë produkte me TVSH dhe do të zbresë TVSH-në e paguar në blerje, ndërsa ndryshimi i regjimit fiskal mund të reflektohet edhe te çmimet për konsumatorët.

Deri tani kemi pasur një histori ndryshimesh shumë të shpeshta të pragut të TVSH-së. Që në vitin 1996, kur u vendos për herë të parë pragu prej 2 milionë lekësh, ai ka ndryshuar shtatë herë ndër vite. Me propozimin e tanishëm, pragu rikthehet sërish në 2 milionë lekë, pasi më parë ka qenë 5 milionë dhe 8 milionë lekë.

Ulja e pragut në 2 milionë lekë u aplikua edhe në vitin 2018, kohë kur pati protesta të tregtarëve, të njohura si “protestat e qepenave”. Masa preku veçanërisht dyqanet e vogla dhe tregtarët e zonës së Medresesë. Për herë të parë, në mbështetje të tyre u bashkua edhe një pjesë e biznesit të madh.

Edhe atëherë u eksperimentua me këtë prag dhe u pa se masa rriti kostot për biznesin e vogël, pa prodhuar efektin e synuar në uljen e informalitetit. Përkundrazi, ajo mund të çojë në efektin e kundërt: mosdeklarim të aktivitetit, punë pa fatura dhe shtim të informalitetit. Ky është edhe shqetësimi i ekspertëve, të cilët vënë në pikëpyetje nëse ulja e pragut do të sjellë realisht formalizimin e ekonomisë.

Gjithashtu, profesionistët e lirë kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese uljen e pragut të TVSH-së dhe ligjin për dividendin, pasi, sipas tyre, këto masa kanë fuqi prapavepruese dhe do të kenë efekte edhe për vitin 2026.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm i ngritur nga biznesi lidhet me mungesën e konsultimit. Sipas përfaqësuesve të tij, paketa fiskale e propozuar dhe e miratuar nga qeveria nuk është

diskutuar me grupet e interesit, çka përbën, sipas tyre, shkelje të ligjit për konsultimin publik.’, u shpreh gazetarja Dorina Azo në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco