Një firmë sigurie kibernetike ka përdorur inteligjencën artificiale (IA) për të zbuluar një të metë kritike në Java, një nga gjuhët më të përdorura të programimit në botë. Bëhet fjalë për startup-in teknologjik Calif, i cili identifikoi një dobësi në funksionet e menaxhimit të memories së kësaj gjuhe, e përdorur nga kompani si Apple dhe Amazon, si dhe nga banka, spitale e institucione qeveritare.
Dobësia, e quajtur Java4Shell, mund t'i lejonte një sulmuesi të ekzekutonte nga distanca komanda të paautorizuara në sistemet kompjuterike. Zbulimi u realizua me ndihmën e modelit GPT-6 Cyber të OpenAI, i cili nuk është ende i disponueshëm për publikun. Pas identifikimit të problemit, Oracle, kompania që zotëron Java-n, publikoi një përditësim kritik sigurie që përfshin korrigjimin e kësaj dobësie.
“IA tani po ekspozon më shumë të meta shumë më shpejt”.- tha Toby Walsh, një shkencëtar kompjuterash.
Ekspertët paralajmërojnë se një dobësi e tillë mund të ekspozojë sisteme financiare, të dhëna klientësh dhe informacione të organizatave. Shqetësimi lidhet veçanërisht me përdorimin e gjerë të Java-s në sektorë kritikë, ku përfshihen bankat, aviacioni, telekomunikacioni dhe sistemet e sigurisë kombëtare.
Ky është rasti i dytë i identifikuar nga kompania Calif, e cila më herët zbuloi një të metë serioze edhe në gjuhën e programimit PHP, që sipas ekspertëve prekte rreth 30 milionë faqe interneti. Për momentin, nuk ka të dhëna nëse dobësia e fundit në Java ka prekur ndonjë kompani apo institucion.

PlayStation konfirmoi të mërkurën pasdite se platforma e saj e lojërave online pësoi një ndërprerje të madhe të shërbimit, vetëm pak orë përpara publikimit të shumëpritur të lojës “Grand Theft Auto VI” (GTA VI).
“GTA VI” konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha të kulturës pop të këtij viti dhe pritet të publikohet për konsolat PlayStation dhe Xbox sapo ora të shënojë mesnatën.
Ndërprerja e serverëve ndodhi në një periudhë kur një sërë problemesh teknike dhe ndërprerjesh të shërbimeve kanë prekur qeveritë, bankat dhe shumë industri të tjera.
“Mund të keni vështirësi në hapjen e lojërave, aplikacioneve ose përdorimin e funksioneve të rrjetit. Po punojmë për ta zgjidhur problemin sa më shpejt të jetë e mundur. Ju falënderojmë për durimin”, thuhej në faqen zyrtare të statusit të PlayStation Network të mërkurën në mesditë.
Qindra lojtarë raportuan ndërprerje të shërbimit në PlayStation Network, duke deklaruar se kishin vështirësi për t'u identifikuar në rrjetin online, për të aksesuar funksionet e platformës dhe për t'u lidhur me lojërat me shumë lojtarë (multiplayer).
Sony publikoi një përditësim të softuerit të sistemit PlayStation në fillim të kësaj jave, përpara lançimit të afërt të “GTA”.
“Lojtarët duhet ta shkarkojnë këtë përditësim përpara mesnatës së 19 nëntorit, në mënyrë që të jenë gati për të luajtur ditën e lançimit”, thuhet në njoftimin e PlayStation.









Komente
Komento