Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Prime News24” një tjetër rast të pretenduar të dhunës policore ndaj një të riu, të identifikuar si Enea.
Shehaj tregoi se i riu ishte paraqitur pranë Partisë Mundësia në mëngjes dhe kishte rrëfyer se ishte dhunuar brutalisht në zyrën e shefit të Komisariatit nr. 1, nga ky i fundit dhe shefi i krimeve. Sipas tij, pasi denoncuan rastin publikisht, e shoqëruan të riun me një avokat të partisë drejt urgjencës për të marrë ndihmë mjekësore.
Kreu i Partisë Mundësia pretendon se, ndërsa Enea ndodhej në shtrat dhe priste të mjekohej, punonjës policie e kanë marrë zvarrë dhe e kanë futur në një dhomë, ku sipas tij, është tentuar të intimidohet dhe të detyrohet të tërhiqte denoncimin. Shehaj shtoi se avokati që e shoqëronte është larguar me forcë.
Ai identifikoi personat që shfaqen në videon e publikuar si shefin e seksionit të Komisariatit nr. 1 dhe një oficer të policisë gjyqësore të po këtij komisariati. Sipas Shehajt, ky i fundit i ka marrë edhe telefonin të riut.
“Kanë shkuar të merrnin dëshminë e Eneat, ndërkohë që Enea ishte dhunuar në prezencën e këtyre, nga shefat e tyre në Komisariatin nr. 1”, deklaroi Shehaj.
Ai bëri me dije se i riu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, por është i tronditur psikologjikisht nga ajo që, sipas tij, ka përjetuar në komisariat.
Shehaj ngriti shqetësimin se raste të tilla nuk janë të izoluara dhe pretendoi se qindra të rinj po dhunohen nga policia me qëllim që të tërhiqen nga protestat dhe të mos shprehin pakënaqësitë e tyre.
Në fund, kreu i Partisë Mundësia u bëri thirrje të gjithë të rinjve që pretendojnë se janë dhunuar nga policia që të kontaktojnë partinë, duke u siguruar se nuk janë vetëm.
