Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar sërish, pasi Irani njoftoi se ka goditur instalimet amerikane të dronëve dhe raketave në bazën Ali Al Salem në Kuvajt. Sulmi erdhi pas goditjeve ajrore të SHBA-së ndaj një pozicioni iranian për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas ushtrisë iraniane, objektivat në Kuvajt u goditën gjatë natës. Nga ana tjetër, autoritetet kuvajtiane njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përballeshin me sulme armiqësore me dronë. Ky është sulmi i parë iranian ndaj Kuvajtit, aleat i SHBA-së, që nga muaji shtator.
Goditjet amerikane në ishullin Qeshm u kryen të martën në mbrëmje. Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, avionët luftarakë shënjestruan një vend lëshimi raketash në përgjigje të sulmeve iraniane ndaj personelit dhe aseteve amerikane. Ndërkohë, mediat iraniane, duke cituar një zyrtar të Teheranit, raportuan se sulmi nuk shkaktoi dëme në infrastrukturë.
Ushtria amerikane deklaroi të mërkurën se asnjë personel amerikan nuk ishte plagosur nga sulmet e ndërmarra apo të tentuar nga Irani gjatë kësaj jave dhe se të gjithë pjesëtarët e saj ishin të sigurt.
Kuvajti, nga ana e tij, paralajmëroi se rezervon të drejtën të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, territorin dhe objektet jetike të vendit nga çdo agresion apo kërcënim.
Përshkallëzimi është shtrirë edhe në Bahrein, i cili njoftoi se të mërkurën kishte ndërprerë sulmet ajrore iraniane për herë të tretë brenda një jave. Autoritetet e mbretërisë akuzuan Teheranin për një “qasje sistematike armiqësore”. Në Bahrein ndodhet edhe selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane.
Në një paralajmërim të ri drejtuar Uashingtonit, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë iraniane, Amir Hatami, deklaroi se Teherani është i përgatitur të reagojë me forcë edhe më të madhe nëse sulmet amerikane përsëriten.
“Nëse armiku e përsërit gabimin e tij, ne kemi gatishmërinë dhe planet për t’u përballur me të dhe mbështetësit e tij në një mënyrë më të fortë, më shkatërrimtare dhe pa kufizime gjeografike”, tha Hatami në një video të publikuar nga mediat shtetërore iraniane.
Ndërkohë, Hasan Al Hasan, bashkëpunëtor i lartë për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, e cilësoi reagimin iranian si një përshkallëzim të kujdesshëm, por paralajmëroi se situata mund të dalë jashtë kontrollit.
“Por nuk përjashtohet përshkallëzimi i mëtejshëm, veçanërisht nëse SHBA-të fillojnë të zgjerojnë operacionet ushtarake, fillojnë të zgjerojnë objektivat e tyre për të përfshirë jo vetëm infrastrukturën bregdetare ushtarake iraniane, por edhe më thellë brenda Iranit”, tha ai.
Sulmet e fundit tregojnë vështirësitë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka destabilizuar Lindjen e Mesme, ka ndërprerë transportin detar dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë, duke përfshirë gjithnjë e më shumë vende të rajonit.


