Inside Story/ Zhvlerësim i qëllimshëm?! Pse vlera e aseteve të krimit në katalogë është sa gjysma e tregut…?

18/11/2026 22:20

Nëse analizon konkretisht buletinin e pronave, del zbuluar humbja që mund të pësojë shteti në rast qiradhënie apo shitje kur prona konfiskohet. Një apartament me sipërfaqe 172 metra katrorë në afërsi të qendrës së Tiranës, ka vlerë të regjistruar prej rreth 16 milionë lekësh të reja.

Sipas çmimit të referencës, shifra shkon rreth 22 milionë lekë. Por, sipas tregut, vlera reale e pronës është mbi 35 milionë lekë, pra, dyfishi. Nëse kjo pronë jepet me qira ajo do të jepet me gjysmën e çmimit, dhe nëse shitet, shteti humbet plot gjysmën e vlerës reale. Këtu mund të jemi para një skeme që nis me vendimin e gjykatës që ka vlerën e përcaktuar fikse, dhe konkludohet nesër në ankandet preferenciale…

Një tjetër apartament me sipërfaqe 69.9 metra katrorë në Komunën e Parisit, është përllogaritur në vlerën 7.4 milionë lekë të reja. Referuar çmimeve të tregut shuma reale shkon rreth 15 milionë lekë. Kjo pronë, i përket ish anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza i cili u shkarkua nga procesi i Vettingut.

Në rastin e një apartamenti të sekuestruar me sipërfaqe 93 metër me vendndodhje në zonën e ‘Don Boskos’, referuar tregut, edhe në këtë rast vlera do të ishte thuajse dyfish me atë që përcaktohet në pasaportën e pronës. Nga qiraja, ky aset mund të gjeneronte rreth 4 mijë euro në vit.

Një godinë trekatëshe me sipërfaqe të përgjithshme rreth 434 metra katrorë, pranë Qytetit Studenti ka vlerë zyrtare 37 milionë lekë të reja. Në fakt, referuar tregut godina kushton të paktën 60 milionë lekë të reja. Nëse do të jepej me qira sipas referencës përfitimi për shtetin do të duhej të ishte rreth 15 mijë euro në vit.

Në total, katër pronat e marra si shembull më sipër, mund të gjeneronin minimalisht mbi 30 mijë euro në muaj sipas referencës, një shifër e munguar në të ardhurat e shtetit.

Por, problemi nuk janë vetëm paratë e munguara nga qiratë. Problemi më i madh është vlera e pronave me të cilën mund të dalin në ankande. Pra, nëse pronat nuk rivlerësohen sot, shteti humbet gjysmën e vlerës nëse zbërthejmë të tjerë shembuj konkret. Në Tiranë, një nga pasuritë me vlerë të lartë të konfiskuara në vitin 2018, që pasqyrohet në katalog, është dyqani me sipërfaqe 175 metra katrorë në një prej komplekseve luksoze në Rrugën e Kavajës. Prona vlerësohej rreth 228 mijë euro në momentin e konfiskimit, por sot, ajo vlen 3-fish më tepër.

“Realisht do të duhej që çdo pronë të rivlerësohej në momentin që nxirrët në ankand  qoftë për herë të parë të dytë apo të tretë. kjo është diçka që nuk ndodh sot për sot, është bërë vetëm një vlerësim fillestar në momentin që sekuestrohet prona dhe vazhdohet në të njëjtën formë si atëherë pa bërë një rivlerësim. Një nga arsyet që vetë agjencia jep është që duhet të ketë persona të licensuar që të bëjnë rivlerësimin dhe këto duhen të paguhen. Agjencia thotë se nuk kam mjaftueshëm buxhet që të paguaj këta ekspertë të licensuar që të bëjnë rivlerësimin e pronës. duke mos pasur buxhetin e mjaftueshëm ndodh që prona lihet të amortizohet për vite të tëra de një pronë amortizohet pa pasur rivlerësimin e duhur” u shpreh Gertjana Hasalla, eksperte ekonomie.

Situata është e ngjashme edhe për pronat në zonat bregdetare. Në Vlorë, është konfiskuar një godinë me sipërfaqe plot 3 mijë metër në zonën e Ujit të Ftohtë.Në vitin 2018, godina kishte vlerë rreth 2 milionë e 73 mijë euro ndërsa sot, përllogaritet 3-fish. Vetëm nga qiratë shteti do të kishte fituar në 8 vite 500 deri në 600 mijë euro sipas referencës, që janë para’ të humbura… Pa harruar faktin që pronës nuk i bëhet vlerësimi duke i hapur rrugën shitjes në ankand me një vlerë abuzive me humbje në miliona euro…

Nëse marrim me radhë qindra prona që janë në katalog, situata është identike. Kjo zbulon se vlera reale e aseteve të krimit mund të jetë shumë më tepër se shifra zyrtare e përllogaritur në rreth 200 milionë euro.

“Mund të ndodhë shpesh që këto pronat e krimit të lihen me vite të tëra të pashfrytëzuara dhe të ndodhe amortizimi. Ka një ndryshim shumë të madh kur flitet sidomos për vlerësimin që kjo pronë merr nga institucionet e caktuara. në këtë rast është agjencia e konfiskimit”, u shpreh Gertjana Hasalla, eksperte ekonomie.

Përpos mungesës së fitimit, lënia e godinave në mëshirë të fatit, vjen në një kontrast të fort me nevojën e shtetit për ambiente të ndryshme për institucionet. Siç zbuluam në një investigim të mëhershëm, paradoksalisht shteti shpenzon miliona euro për ambjente me qira teksa asetet e konfiskuara shpesh lihen në degradim…

“T’u viheshin në dispozicion kryesisht strukturave kundër krimit të organizuar, qofshin makina, skafe apo jahte, çfarëdo gjërash që mund të kapen, por duhet sa më shpejt t’u jepet një destinacion. Pjesët kompjuterike, për shembull; mafia punon me sisteme kompjuterike shumë të sofistikuara, që, kur kapen, u kalojnë strukturave, qoftë agjencisë, policisë apo shërbimeve sekrete”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Arben Malaj.

“Natyrisht, nëse sasia e aseteve të konfiskuara rritet, do të kemi edhe nevojë për ndërhyrje, por, duke qenë se nevojat e shoqërisë janë jashtëzakonisht të mëdha, nevojat e shtetit për asete janë të mëdha, duke filluar që nga makina, motorë, vila, apartamente; kemi ku t’i çojmë”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.

Top Channel