Inside Story/ Qytetarët kryen parapagime për prona në pallatet e sekuestruara të kokainës, çfarë ndodh me ta…

18/11/2026 22:34

Një pasuri mund të sekuestrohet edhe kur nuk është ende gati për t’u përdorur, pra një ndërtesë e papërfunduar. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se AAPSK e merr dhe e administron fizikisht.

Një rast konkret është dokumentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me një vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të 15 janarit 2021. Në vendim ishin përfshirë, ndër të tjera, dy apartamente në Mëzez, Tiranë.

Kur administratori i AAPSK-së verifikoi gjendjen e tyre, rezultoi se të dy apartamentet ishin të papërfunduara: nuk kishin dyer, dritare dhe energji elektrike. Për këtë arsye, ato nuk u morën në administrim fizik, pavarësisht se i përkasin shtetit. Një rast i ngjashëm lidhet me një godinë 3-katëshe në Vlorë, ku kati i fundit është i papërfunduar.

Në fakt, problemi më i madh është në rastet kur kemi të bëjmë me pallate në ndërtim, ku qytetarë të tretë kanë paguar qindra mijëra euro këste paraprake… Së fundi, janë sekuestruar disa pallate me qindra apartamente të financuara nga grupe të trafikut të kokainës. Këto situata të panjohura më herët janë në proces adresimi. Në ndryshimet ligjore të propozuara të vitit 2026, parashikohet shprehimisht ‘zhvillimi i objekteve me investim të papërfunduar’.

‘Realisht ka pasur raste të tilla në Shqipëri, ka objekte të konfiskuara, por ndërkohë ka palë të treta, siç janë qytetarët, që i kanë blerë në mirëbesim, me para, kanë një kontratë të firmosur për paratë që kanë dhënë dhe realisht nuk mundet që shteti t’ia sekuestrojë pronën qytetarit.

I sekuestrohet vetëm atij që është subjekt i krimit, në këtë rast kompanisë ndërtuese. Pra, sekuestrohen llogaritë e kompanisë ose apartamentet që i ka ndërtuesi, por jo apartamentet që i ka qytetari’, u shpreh ekspertja e ekonomisë, Gertjana Hasalla.

‘Administratori do të duhet të bëjë këtë ndarjen dhe të shikojë me kujdes të gjitha dokumentet që janë të lidhura me pagesën që kanë bërë qytetarët, në krahasim me pjesën tjetër që i përket ndërtuesit dhe mund të sekuestrohet’, u shpreh ekspertja e ekonomisë, Gertjana Hasalla.

Në varësi të rastit, për pjesën e punimeve të pakryera mund të ngarkohet subjekti që ka qenë zhvillues, zbatues, mbikëqyrës ose kolaudues, sipas angazhimit që ka marrë gjatë ndërtimit. Investimi mund të merret përsipër edhe nga vetë shteti përmes fondit të konfiskimit.

Problem për qytetarët mbeten rastet kur parapagesat për blerje nuk janë shoqëruar me kontrata konkrete dhe ato financa mund të humbasin… Ndryshimet janë paraqitur nga Këshilli i Ministrave si projektligj për t’iu dërguar Kuvendit, por ende nuk janë miratuar.

 

Top Channel