Vetëm 42% e qytetarëve e konsiderojnë Zvicrën të përgatitur për kriza

Vetëm 42% e qytetarëve zviceranë besojnë se vendi i tyre është i përgatitur mirë për përballimin e krizave të mundshme në të ardhmen. Këtë e tregon një studim i publikuar nga Fondacioni Risiko-Dialog, i cili nxjerr në pah shqetësimet e popullsisë për sigurinë dhe gatishmërinë e Zvicrës për situata emergjente.
Në anketën ku morën pjesë 1.878 persona të moshës 16 deri në 79 vjeç, rreziku më i madh konsiderohen fatkeqësitë natyrore, për të cilat shqetësohen 59% e të anketuarve.
Pas tyre renditen sulmet kibernetike dhe ndërprerjet e mëdha të sistemeve informatike me 58%, ndërsa 55% shprehin shqetësim për konfliktet gjeopolitike që mund të kenë pasoja për Zvicrën.
Gjithashtu, 40% e qytetarëve druajnë nga një krizë ekonomike, ndërsa 36% shqetësohen për ndërprerjet e furnizimit me produkte dhe mallra të nevojshme, shkruan Watson.
Studimi tregon se edhe përgatitja e familjeve për situata emergjente mbetet e pamjaftueshme.
Rreth 66% e familjeve kanë një kuti me barna në shtëpi, ndërsa 59% kanë rezerva të produkteve higjienike për një javë.
Megjithatë, vetëm rreth një e treta kanë siguruar ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për shtatë ditë, ndërsa vetëm 14% kanë diskutuar paraprakisht me familjarët se si duhet të veprojnë në rast krize.
Sipas rezultateve, 13% e të anketuarve nuk kanë marrë asnjë masë paraprake për situata të tilla, transmeton Telegrafi.
Sa i përket besimit në institucionet përgjegjëse për menaxhimin e krizave, policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e shpëtimit gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve. Në rast të një situate emergjente, rritet edhe besimi te ushtria, mbrojtja civile dhe shërbimi civil, nga 60% në 69%.
Ndërkohë, 69% e qytetarëve deklarojnë se u besojnë njerëzve në lagjen apo fshatin ku jetojnë, duke e vënë në pah rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë në raste krizash.
Rezultatet e studimit tregojnë se, pavarësisht besimit në institucionet shtetërore dhe shërbimet emergjente, një pjesë e madhe e popullsisë nuk e konsideron Zvicrën mjaftueshëm të përgatitur për sfidat e ardhshme dhe se gatishmëria për kriza kërkon angazhim si nga institucionet, ashtu edhe nga vetë qytetarët./Telegrafi/




































