Presidenti amerikan Donald Trump është bërë objekt komentesh pas pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt nga samiti i APEC-ut në Shenzhen të Kinës, ku ai duket me sytë mbyllur dhe kokën të ulur ndërsa presidenti kinez Xi Jinping po mbante fjalimin e tij.

Sipas gazetës “South China Morning Post”, kamerat u përqendruan te disa prej liderëve botërorë që ndodheshin në sallë, ndërsa Xi po fliste për planet dhe aspiratat e Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit.

Në pamje shfaqeshin presidenti rus Vladimir Putin, i cili dukej se po ndiqte fjalimin, kryeministri kanadez Mark Carney dhe kreu i administratës së Hong Kongut, John Lee, të cilët po mbanin shënime. Ndërkohë, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u pa duke buzëqeshur në disa momente.

Kamerat u ndalën më pas për disa sekonda te Trump, i cili u filmua me sytë mbyllur dhe kokën e përkulur. Sipas raportimeve, pamjet u shfaqën edhe në ekranet gjigante të sallës së samitit.

Trump i ka mohuar më herët pretendimet se e zë gjumi gjatë takimeve publike. Në janar, ai u shpreh se kur fotografohet me sytë mbyllur, në të vërtetë thjesht po pushon sytë ose po mbyll qepallat.

“Është shumë relaksuese për mua”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se fotografët shpesh kapin pikërisht momentin kur sytë e tij janë të mbyllur.

Pamjet vijnë pas një axhende të ngjeshur të presidentit amerikan gjatë ditëve të fundit. Trump mbërriti të martën në Manila, në Filipine, për të marrë pjesë në samitin e ASEAN-it, ndërsa të mërkurën pasdite udhëtoi drejt Kinës, ku u prit nga Xi Jinping. Po atë mbrëmje, ai mori pjesë në një darkë zyrtare, ndërsa të enjten në mëngjes autokolona e tij u nis drejt ambienteve ku po zhvillohet samiti i APEC-ut. Më vonë, Trump pritet të zhvillojë një takim dypalësh me Xi Jinping, ndërsa në bisedime pritet të përfshihet edhe presidenti rus Vladimir Putin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb