
Pas debateve të forta dhe diskutimeve maratonë, seanca plenare miratoi në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” me 80 vota pro, 0 abstenim dhe 25 kundër, si dhe pesë projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.
Buxheti i vitit 2027 u prezantua nga Kryeministri Edi Rama, i cili paraqiti pikat kryesore të këtij projektbuxheti, të cilin e quajti buxhet historik, pasi për herë të parë shifra arrin tavanin e 10 miliardë eurove.
Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me debate dhe replika të shumta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku në fokus ishte projektbuxheti, shpërndarja e fondeve publike dhe politikat ekonomike e sociale të qeverisë.
Mazhoranca e cilësoi buxhetin si historik, duke vënë theksin te rritja e investimeve publike, dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, si dhe ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Sipas përfaqësuesve të saj, financime shtesë parashikohen edhe për sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja.
Krejt ndryshe ishte qëndrimi i opozitës, e cila kundërshtoi projektbuxhetin, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin e mbështetjes sociale dhe efektet që politikat fiskale do të kenë te qytetarët dhe bizneset. Kritikët e qeverisë vunë në dukje gjithashtu mungesën e konsultimit me përfaqësuesit e biznesit për paketën fiskale, ndërsa shprehën shqetësime për ndikimin e ndryshimeve tatimore në sektorin e turizmit dhe te profesionistët e lirë.
Përplasjet politike u shoqëruan edhe me akuza për korrupsion dhe kritika mbi mënyrën e menaxhimit të financave publike, duke e kthyer diskutimin e projektbuxhetit në një debat të gjerë mbi prioritetet ekonomike dhe sociale të vendit.
Në përfundim të diskutimeve, projektbuxheti mori miratimin në parim në Kuvend. Tashmë ai do të rikthehet për shqyrtim në komisionet parlamentare, ku do të analizohet nen për nen dhe mund të pësojë ndryshime përpara se të hidhet në votimin përfundimtar.
