Aktualitet

Lirohet nga qelia një nga tre të arrestuarit për atentatin e dyshuar në Lezhë!

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, njëri prej tre të arrestuarve në kuadër të operacionit policor “Detajet”, i zhvilluar në tetor në Lezhë. Piroli lë qelinë 38 ditë pas arrestimit dhe tashmë do të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ai u prangos më 11 tetor me Kristian Ymerin, 34 vjeç dhe Elden Tarjan, 25, të dyshuar se në bashkëpunim kishin planifikuar të kryenin një atentat në zonën e Lezhës.

Operacioni “Detajet” u finalizua pas informacioneve për lëvizjen e personave të armatosur e të pajisur me skafandra. Ata udhëtonin me motomjet në aksin e vjetër Pllanë-Lezhë.

Sipas hetimeve, dy prej të dyshuarve kishin rolin e ekzekutorëve, ndërsa i treti do t’i ndihmonte për t’u larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, pas atentatit.

Policia deklaroi se ndërhyrja parandaloi realizimin e një vrasjeje të planifikuar.

Ndërkohë, me vendimin e fundit të Apelit, Piroli do të vijojë të jetë në “Arrest shtëpie”, ndërsa vijojnë hetimet për ngjarjen dhe rolin e personave të përfshirë.