Hyn për të grabitur klinikën dentare dhe kërcënon me thikë pronaren, arrestohet 44-vjeçari në Korçë

Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Korçës, pasi tentoi të grabiste një klinikë dentare në lagjen nr. 5 të qytetit. Gjatë ngjarjes, ai ka shtyrë me forcë pronaren e klinikës dhe e ka kërcënuar me thikë, me qëllim për të marrë sende me vlerë.
Sipas policisë, autori ka arritur të marrë një laptop nga ambientet e klinikës, por është kapur menjëherë pas njoftimit të marrë nga uniformat blu, të cilat ndërhynë në vendngjarje.
Në pranga përfundoi shtetasi me inicialet A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë, i cili rezulton me precedent penal dhe i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën e dyshuar të përdorur për kanosjen, si dhe laptopin e vjedhur në klinikën dentare.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
/vizionplus.tv




