
Inteligjenca artificiale po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në botën e gazetarisë sportive, por këtë herë përdorimi i saj ka shkaktuar një situatë mjaft interesante në një konferencë për shtyp të kombëtares së Argjentinës.
Ngjarja ka ndodhur në sallën e konferencave të stadiumit “Mario Alberto Kempes” në Kordoba, ku një gazetar ka vendosur t’i drejtohet ChatGPT-së për të përgatitur një pyetje për trajnerin Lionel Scaloni.
Gjithçka ndodhi pas fitores së thellë 7-0 të Argjentinës ndaj Kosta Rikës. Ndërsa gazetarët prisnin mbërritjen e trajnerit kampion bote, njëri prej tyre nxori telefonin, hapi aplikacionin e inteligjencës artificiale dhe shkroi kërkesën: “Më bëj një pyetje për Scaloni-n pas fitores 7-0”.
Përgjigjja e inteligjencës artificiale ishte mjaft e detajuar dhe lidhej me ndryshimin e brezave në kombëtaren argjentinase, si dhe me identitetin e ri të lojës së skuadrës.
Pyetja e sugjeruar ishte:
“Lionel, pas një fitoreje kaq bindëse si kjo 7-0, çfarë përfundimesh mund të nxirrni për ndryshimin e brezave në kombëtare? Mendoni se po krijohet një identitet i ri futbollistik, më pak i varur nga talenti individual dhe më shumë i bazuar te paraqitja kolektive?”
Momenti ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, duke hapur edhe një diskutim mbi ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në profesionin e gazetarit.
Ndërkohë, në fushën e lojës, kombëtarja e drejtuar nga Lionel Scaloni dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke mposhtur Kosta Rikën me rezultatin e thellë 7-0. Kjo fitore erdhi pas humbjes 2-1 ndaj Uruguait në “La Bombonera” dhe shërbeu si një reagim i fuqishëm i kampionëve të botës.
Chat: DAME UNA PREGUNTA PARA SCALONI LUEGO DE GANAR 7-0 https://t.co/P4Is32o9JB
— Lauty pavon (@LautaroPavon18) November 18, 2026