
Në mëngjesin e sotëm, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë dhe e qëndrueshme.
Në të gjitha bashkitë e Qarkut Shkodër, deri në këto momente, përveç disa rasteve të rënies së gurëve në rrugë rurale, nuk raportohen problematika të tjera të natyrës së emergjencave civile.
Strukturat përgjegjëse pranë bashkive janë të angazhuara në terren për verifikimin e situatës dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme, me qëllim pastrimin e akseve të prekura dhe garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, deri më tani janë regjistruar rreth 50 mm reshje shiu në 24 orët e fundit, pa evidentuar problematika në veprat kulluese dhe mbrojtëse nga uji. Nivelet e ujit në lumin Drin, Liqenin e Shkodrës dhe në Digën Shtoder janë nën kuotat e rrezikut. Hidrovorët janë në funksion dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e vazhdueshëm të situatës, në koordinim me strukturat përgjegjëse, duke mbajtur në gatishmëri mekanizmat përkatës për përballimin e çdo situate të mundshme emergjente.




