Një 44-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se ka tentuar të grabisë një klinikë dentare, duke kërcënuar me thikë stomatologen.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku autori dyshohet se ka hyrë me forcë në klinikën dentare, duke mbajtur në dorë një mjet prerës.
Sipas informacioneve, 44-vjeçari ka sulmuar stomatologen dhe e ka kërcënuar me thikë. Më pas, ai ka arritur të marrë vetëm një kompjuter laptop dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve dhe veprimeve operative, Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili do të përballet me akuzën e vjedhjes me dhunë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, ku do të vijojnë veprimet e mëtejshme hetimore.






