Diaspora shqiptare në Gjermani i drejtohet Bundestagut për protestat në Tiranë, kërkohet hetim për dhunën policore

Aktivistë të Diasporës Shqiptare në Gjermani, të angazhuar në lëvizjen “Flamingo Revolution”, i janë drejtuar katër grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman me një dokument të detajuar, ku kërkojnë reagim për zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri. Dokumenti, i titulluar “Shqipëria dhe përgjegjësia evropiane”, mban datën 19 nëntor 2026 dhe përmban një sërë kërkesash drejtuar përfaqësuesve politikë gjermanë.
Në qendër të shqetësimeve janë rregullat e reja për protestat, të miratuara më 28 tetor nga qeveria Rama, të cilat aktivistët i konsiderojnë rrezik për të drejtën e tubimit paqësor dhe standardet demokratike. Ata kërkojnë një deklaratë publike në mbështetje të protestuesve, dënimin e dhunës së pretenduar policore dhe një hetim të pavarur për shkeljet e raportuara.
Në dokument kërkohet gjithashtu angazhimi i Bundestagut përmes pyetjeve parlamentare drejtuar qeverisë gjermane dhe përfshirja e Komisionit për Çështjet Evropiane. Vëmendje e veçantë kërkohet për hetimin e ndërhyrjeve policore, ruajtjen e provave, mbrojtjen e të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimin e përputhshmërisë së rregullave të reja të protestës me të drejtat themelore.
Aktivistët ngrenë edhe shqetësime për funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, duke përmendur çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, hetimet e SPAK për projektet bregdetare dhe vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit. Në dokument theksohet gjithashtu nevoja për të hetuar përgjegjësitë në zinxhirin komandues të policisë, duke bërë dallimin mes përgjegjësisë politike dhe fajësisë individuale penale.
Një tjetër çështje e ngritur është mbrojtja e mjedisit, veçanërisht situata në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Sipas dokumentit, përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të kushtëzohet me rezultate të verifikueshme në shtetin e së drejtës, demokraci, të drejtat themelore dhe mbrojtjen e natyrës.
Në fund, organizatat dhe grupimet pjesëmarrëse kërkojnë nga deputetët gjermanë një përgjigje konkrete se cilat nisma parlamentare janë të gatshme të mbështesin, si dhe mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë. Nisma mban firmat e grupeve “Flamingo Revolution” në Mynih, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Düsseldorf, Dortmund dhe Bremen, si dhe të organizatave Fora Civic dhe Flamingos Diaspora.
/vizionplus.tv




