Ndotja e lumit Gjanica, Prokuroria dërgon në gjyq shoqërinë e Uzinës së Naftës në Fier dhe drejtuesin teknik

Aktualitet | 6 minuta më parë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Drizë dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “A” SHA, si dhe drejtuesin teknik të saj, me inicialet R. Sh.

Ata akuzohen për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas hetimeve për procedimin penal të vitit 2023, ujërat teknologjike të uzinës grumbulloheshin në bllokun e pastrimit, ku duhej t’i nënshtroheshin trajtimit përpara shkarkimit, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Lejen e Mjedisit.

Megjithatë, Prokuroria ka konstatuar se ujërat e ndotura me lëndë hidrokarbure shkarkoheshin përmes një pike të paautorizuar në një përrua, i cili pas rreth 17 metrash derdhej në lumin Gjanica. Sipas organit të akuzës, këto ujëra ishin krijuar gjatë aktivitetit të uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndërprerjes së punës së saj.

Analizat laboratorike kanë evidentuar një nivel të produkteve të naftës prej 13.8 mg/l në kampionin e marrë në dalje të vaskës, ndërkohë që kufiri i lejuar nga Leja e Mjedisit ishte 10 mg/l. Ujërat janë klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.

Nga hetimet rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës kishte dijeni për ekzistencën e pikës së shkarkimit dhe, pavarësisht detyrimit dhe mundësisë për ta mbyllur, kontrolluar apo pajisur me sistem trajtimi, nuk kishte marrë masa për të parandaluar ndotjen.

Prokuroria thekson se vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, përmes shkarkimit të ujërave të patrajtuara, shmangte kostot e trajtimit dhe transportit të tyre. Sipas organit të akuzës, kjo është bërë e mundur edhe për shkak të mungesës së kontrollit dhe mbikëqyrjes nga organet drejtuese të shoqërisë.

Provat mbi të cilat është mbështetur hetimi përfshijnë aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këqyrjen e vendit të ngjarjes, analizat laboratorike, deklarimet e personave që kanë dijeni për rastin dhe ekspertimin teknik-mjedisor.

Në njoftimin e saj, Prokuroria e Fierit e cilëson ndotjen e lumit Gjanica si një problem të mprehtë mjedisor, me pasoja për cilësinë e ujërave dhe botën bimore e shtazore. Organi i akuzës bën me dije se, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të rasteve të shkarkimit të lëndëve ndotëse në këtë lumë dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme