Pasi ndërkombëtarët kthyen PS-në dhe PD-në në tryezën e Komisionit për Reformën Zgjedhore, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ftoi përfaqësuesit e Komisionit të Venecias për një vizitë pune në komisionin e posaçëm. Gjatë vizitës pritet të diskutohet ecuria e projektligjit për financimin e partive politike.
Në mbledhjen e mëparshme, dy bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ranë dakord që Komisionit të Venecias t’i merret një opinion përfundimtar për pr.ligjin për financimin e partive.
Palët ranë dakord të kërkojnë edhe ndihmën e ekspertëve të ODIHR-it për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ekspertët e të dyja partive do të nisin punën pasi PD-ja të depozitojë zyrtarisht draftin e saj, të hartuar sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Në komision pritet të diskutohet edhe formula e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, pas ndryshimit të hartës territoriale, që tashmë parashikon 46 bashki. Në propozimin fillestar, opozita ka kërkuar lista 100 për qind të hapura edhe për këshillat bashkiakë.
Afati i komisionit përfundon më 30 nëntor. Nëse PS-ja dhe PD-ja nuk arrijnë marrëveshje deri atëherë, mazhoranca do ta çojë e vetme draftin në Kuvend, siç bëri me hartën territoriale.











Komente
Komento