Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po kundërshton shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Parlamentit Evropian.
Në një deklaratë për mediat, Zhupa theksoi se është shprehur kundër shfuqizimit duke argumentuar se mund një veprim i tillë mund të cenojë sigurinë juridike të projekteve dhe procedurave të miratuara deri më tani.
Deputetja e kundërshtoi këtë qëndrim, duke deklaruar se ligji ka hapur rrugën për ndërtime turistike në zona të mbrojtura, përfshirë Zvërnecin, për të cilin u ngritën masivisht qytetarët në protesta në qershor.
“Këshilli i Ministrave pretendon se shfuqizimi mund të cenojë sigurinë juridike të atyre që kanë marrë projekte ndërtimore, sepse ligji ka prodhuar akte nënligjore, vendime dhe procedura administrative. Por kjo nuk është arsye për të mos e shfuqizuar. Përkundrazi, është arsyeja kryesore pse kërkohet shfuqizimi. Pikërisht për të ndalur shkatërrimin e natyrës, masakrimin e zonave të mbrojtura, ndërtimin e vilave dhe resorteve kudo, për interesa private.”, thotë ajo.
Zhupa iu referua gjithashtu rezolutës së Parlamentit Europian të 17 qershorit, e cila kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 dhe vendosjen e një moratoriumi për lejet, ndërtimet dhe ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura deri në garantimin e përputhshmërisë me standardet europiane.
“Më 17 qershor 2026, Parlamenti Europian miratoi rezolutën P10_TA(2026)0217 për Shqipërinë, në të cilën kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Paragrafi 46a kërkon moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme dhe garantimin e përputhshmërisë me standardet europiane.
Rezoluta kritikon gjithashtu kalimin e kompetencave të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kontrollin mjedisor.
Qeveria nuk mund të flasë për integrim europian dhe njëkohësisht të refuzojë të zbatojë mesazhin politik të institucioneve europiane pikërisht për një çështje që lidhet me Kapitullin 27, Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. Revolucioni Flamingo është dëshmia se qytetarët nuk pranojnë që pasuritë natyrore të Shqipërisë të trajtohen si prona për t’u ndarë mes investitorëve dhe pushtetit.”, shton ajo.













