Ndërsa mijëra pensionistë në Shqipëri përballen çdo muaj me vështirësi ekonomike dhe përpiqen të përballojnë shpenzimet bazë, përllogaritjet për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë dhe deputetëve rikthejnë në vëmendje diferencat në skemën e pensioneve.
I ftuar në A2 CNN, eksperti Kujtim Hoxha ka zbuluar shifrat që mund të përfitojnë në pension politikanë me karrierë të gjatë në institucionet shtetërore, duke përmendur konkretisht Erion Braçen dhe Tritan Shehun.
Sipas Hoxhës, Erion Braçe, mund të përfitojë një pension që kalon 4.4 milionë lekë të vjetra në muaj, pasi në llogaritjen e tij, thotë eksperti, do të merret si referencë edhe paga e funksionit të zëvendëskryeministrit.
“Nëse del normalisht 65 vjeç, Erion Braçe do të jetë rekordi i pensionit dhe pritet ta kalojë 4.4 milionë lekë të vjetra. Sepse ai ka qenë zëvendëskryeministër dhe kur të dalë në pension do të merret si referencë paga e zëvendëskryeministrit në atë kohë”, ka deklaruar Hoxha.
Po, ashtu Hoxha deklaron se edhe pensioni i Tritan Shehut, pritet të jetë më i lartë, pasi ka mbajtur postet e zëvendëskryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe ministrit të Shëndetësisë. Fakti që ai ka vijuar të punojë edhe pas moshës së pensionit, sipas Hoxhës, ndikon në rritjen e përfitimit.
“Tritan Shehu po se po, pse? Sepse edhe ai ka qenë zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Shëndetësisë. Sipas ligjeve që kemi sot, nisur edhe nga fakti që ka punuar mbi moshën e pensionit, kjo i jep atij bonus tjetër në lidhje me vitet e punës. Tritan Shehu do t’ia kalojë edhe Erion Braçes për pensionin”, shprehet eksperti.














