Aktivistë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Gjermanisë i janë drejtuar zyrtarisht katër grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman, duke kërkuar reagim për zhvillimet politike në Shqipëri, protestat në Tiranë dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

Përmes një kërkese zyrtare, aktivistët e Diasporës Shqiptare në Gjermani kanë paraqitur tri kërkesa konkrete, me të cilat synojnë të nxisin angazhimin politik dhe institucional të Gjermanisë për zhvillimet në Shqipëri, në mbështetje të protestave dhe të ashtuquajturit Revolucioni Flamingo.


Kërkesa e parë drejtuar Bundestagut është që të mbajë një qëndrim publik në mbështetje të së drejtës për protestë paqësore, të dënojë dhunën policore dhe të kërkojë një hetim të pavarur për shkeljet e raportuara gjatë protestave në Shqipëri.

Në kërkesën e dytë, aktivistët kërkojnë veprim parlamentar dhe llogaridhënie institucionale përmes paraqitjes së pyetjeve parlamentare dhe angazhimit të Komisionit për Çështjet Evropiane.

Ata kërkojnë që vëmendje e veçantë t'u kushtohet hetimit të pavarur të rasteve të raportuara, mbrojtjes së të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimit të kufizimeve të reja mbi të drejtën e protestës.

Kërkesa e tretë lidhet me presionin politik në nivel evropian, shkruan Panorama.

Aktivistët kërkojnë që qeveria gjermane të mbajë një qëndrim të qartë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e lidhur përparimin e vendit me rezultate konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e natyrës.

Sipas aktivistëve, integrimi evropian i Shqipërisë duhet të ecë përpara, por ky proces nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata politike.

Ai duhet të shoqërohet me demokraci funksionale, respektim të lirive themelore, sundim të ligjit dhe përgjegjësi politike, transmeton Telegrafi.

Përmes kësaj nisme, Diaspora Shqiptare në Gjermani synon që zhvillimet në Shqipëri të marrin vëmendjen e institucioneve gjermane dhe evropiane, duke kërkuar që respektimi i të drejtave të qytetarëve të jetë pjesë thelbësore e vlerësimit të progresit të vendit drejt Bashkimit Evropian./Telegrafi/