Një masiv i madh shkëmbor është shembur këtë të enjte në rrugën Qafë Buall–Krastë, në segmentin që lidh Bulqizën me zonën e Martaneshit, duke paralizuar plotësisht qarkullimin pranë vendit të njohur si “Ura e Luçanës”.
Rrëshqitja e shkëmbinjve ka bllokuar rrugën në të dyja drejtimet, ndërsa disa automjete kanë mbetur të izoluara në të dyja anët e zonës së shembjes. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e sigurisë në këtë aks, ku lëvizja e automjeteve duket se vijon të shoqërohet me rreziqe nga terreni malor dhe paqëndrueshmëria e skarpatave.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është fakti se ky segment rrugor po i nënshtrohet një investimi prej rreth 11 milionë eurosh. Projekti parashikon stabilizimin e skarpatave përmes vendosjes së rrjetave mbrojtëse dhe betonimit, ndërtimin e veprave të artit, si dhe asfaltimin e rrugës.
Ky investim vjen pas një projekti të mëparshëm, i cili kishte në fokus zgjerimin e trasesë dhe parashikonte gjithashtu asfaltimin e aksit.
Në total, dy tenderët kapin vlerën e rreth 22 milionë eurove për rehabilitimin e vetëm 16.5 kilometrave rrugë.













