‘Jemi krenaria e shqiptarëve’. Me këto fjalë ka nisur rrëfimin në Itali trajneri i Kombëtares shqiptare Rolando Maran, i cili arriti objektivin e vendosur nga FSHF për t’i ngjitur kuqezinjtë nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve. Në intervistën për ‘Gazetta della Sport’ italiani thotë se kombëtarja ka rikthyer esntuziazmin te tifozët pas një periudhe negative.
Maran tani sheh përtej këtij objektivi, duke folur për kualifikimin në kampionatin evropian 2028 dhe mundësinë se në kualifikuese shorti mund t’i vendosë në të njëjtin grup me Italinë.
“Do të ishte një ndjenjë e çuditshme dhe njëkohësisht e mrekullueshme nëse luajmë kundër Italisë, por pavarësisht kundërshtarëve shpresoj të kualifikohemi. Shqipëria është me cilësi të mira teknike dhe morale, ndërsa tashmë ka mundësinë edhe për rotacion,”-u shpreh Rolando Maran, trajner i Kombëtares.
Maran më pas u ndal te emra të përveçëm në Kombëtare. Cristian Shpendi, i cili është golashënues në Serinë B të Italisë, sipas trajnerit shpejt do të ketë shanset e tij te Shqipëria. Maran më pas u ndal edhe te mundësia që Elia Caprile, portieri italian i Cagliari-it, të luajë për kuqezinjtë pasi pak kohë më parë ka marrë edhe shtetësinë shqiptare.
"Caprile mori një pasaportë shqiptare për arsye familjare. Ai nuk e ka përfunduar ende procesin, kështu që nuk e kemi diskutuar. Megjithatë, nëse ai do të ishte i disponueshëm, sigurisht që do të na shërbente,”-tha Rolando Maran, trajner i Kombëtares.
Në fund italiani tha se ndjehet shumë i mirëpritur në Tiranë dhe se shpesh njerëzit e njohin në rrugë, duke i shprehur mbështetjen. Sipas Maran kjo e mbush me krenari dhe njëkohësisht me përgjegjësi.










Komente
Komento