Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Nuk ka përqeshje më të madhe për pensionistët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ditën e sotme ka komentuar buxhetin e vitit 2027, duke kundërshtuar shifrën prej 10 miliardë eurosh të prezantuar nga qeveria. Sipas tij, kjo shifër është e fryrë për shkak të ndryshimeve në kursin e këmbimit.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të fondeve publike, duke pretenduar se pjesa më e madhe e buxhetit nuk shpërndahet në funksion të qytetarëve.
Ai u ndal edhe te fondi i parashikuar për pensionistët. Sipas Berishës, për rreth 760 mijë pensionistë janë parashikuar vetëm 300-350 milionë euro, ose rreth 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai kërkoi që kjo shumë të dyfishohet, duke e çuar në 700 milionë euro.
Sali Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, edhe njëherë rikthehem tek buxheti i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro.
Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme.
Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet- me kursin e këmbimit se kjo bazohet tek narkoeuro- kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh.
Kjo është e vërteta. Por në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së. Iu janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro.
Nuk ka përqeshje më të madhe për ta. Janë 760 mijë qytetarë.
Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë. Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët.
Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative. Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje.
Krim, krim i shëmtuar. Këtu janë futur edhe paratë e check-upit, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij.




