Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, duke kërkuar ekspertizë ligjore për Ligjin për Financimin e Partive Politike.
Nisma vjen pas dakordësisë së arritur mes palëve në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku u vendos që rregullat për financimin e partive politike të shqyrtohen edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias.
Në letrën drejtuar këtij institucioni, Peleshi ka propozuar gjithashtu zhvillimin e një vizite pune të ekspertëve të Venecias pranë Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me qëllim diskutimin e ecurisë së projektligjit dhe mënyrës se si janë reflektuar rekomandimet e mëparshme të këtij institucioni.
Ndërkohë, diskutimet për reformën zgjedhore vijojnë mes propozimeve të ndryshme të mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike ka paraqitur një paketë kërkesash që përfshin kalimin në një sistem proporcional kombëtar, me Shqipërinë si një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100% të hapura.
Demokratët kërkojnë gjithashtu lista të hapura për këshillat bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rishikimin e votës së diasporës dhe një prag zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur si përparësi ndryshimet që lidhen me reformën territoriale, veçanërisht përshtatjen e formulës së përfaqësimit në këshillat bashkiakë.
Sa i përket kërkesës së demokratëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kalimin në proporcional kombëtar, socialistët janë shprehur të hapur për diskutime.
Megjithatë, si alternativë kanë propozuar reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 101, duke theksuar se ndryshimi i sistemit kërkon një debat më të gjerë, pasi prek edhe Kushtetutën.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur në nëntor 2025, ka mandat deri në fund të këtij muaji.










