Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, mbështetja te taksat dhe administrata publike përmbys renditjen
Shqipëria mund të ketë regjistruar rritjen më të lartë ekonomike në rajon gjatë vitit 2025, por kur nga llogaritjet hiqet kontributi i taksave neto dhe administratës publike, vendi zbret në fund të renditjes. Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike shqiptare mbështetet kryesisht te këta dy komponentë dhe jo te zgjerimi i sektorëve privatë dhe prodhues.
Sipas shifrave zyrtare, ekonomia shqiptare u rrit me 3.66% në vitin 2025, duke lënë pas Kosovën me 3.62%, Maqedoninë e Veriut me 3.5% dhe Malin e Zi me 3.3%. Megjithatë, analiza e kontributit të sektorëve në këtë rritje nxjerr në pah një realitet tjetër. Taksat dhe subvencionet neto kontribuuan me 1.15 pikë përqindje, ndërsa administrata publike me 1.65 pikë përqindje, kryesisht për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik.
Nëse këta dy komponentë përjashtohen, rritja e sektorëve privatë të ekonomisë rezulton vetëm 0.85%, niveli më i ulët në rajon. Sipas analizës së prezantuar nga kryeredaktorja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi, kjo strukturë e bën ekonominë më të ekspozuar ndaj rreziqeve afatmesme, pasi rritja nuk mbështetet mjaftueshëm te prodhimi, investimet dhe produktiviteti.
Një tjetër tregues shqetësues lidhet me strukturën e ekonomisë. Shqipëria rezulton i vetmi vend në Europë ku pesha e ndërtimit në ekonomi është më e madhe se ajo e industrisë. Ndërkohë, industria përpunuese është në tkurrje prej nëntë tremujorësh radhazi, që nga fundi i vitit 2023.
Edhe struktura e kompanive më të mëdha pasqyron këtë model ekonomik. Rreth 70% e të ardhurave të 200 kompanive më të mëdha në vend, të cilat në vitin 2025 arritën në 15 miliardë euro, vijnë nga tregtia dhe ndërtimi. Por qarkullimi i lartë nuk përkthehet domosdoshmërisht në punësim, pasi rreth 40% e këtyre kompanive shpenzojnë më pak se 5% të të ardhurave për personelin.
Në kontrast me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut ka arritur të tërheqë sipërmarrje të mëdha industriale, të cilat janë kthyer në punëdhënës dhe kontribues të rëndësishëm të ekonomisë. Ndërsa dhjetë kompanitë më të mëdha shqiptare, pa përfshirë bankat, realizuan rreth 4 miliardë euro xhiro dhe kishin afërsisht 13 mijë të punësuar, kompanitë homologe në Maqedoninë e Veriut realizuan 5.2 miliardë euro të ardhura dhe punësonin rreth 20 mijë persona.
Të dhënat ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e modelit të rritjes ekonomike në Shqipëri, ku zgjerimi i ndërtimit dhe tregtisë nuk po shoqërohet me një zhvillim të krahasueshëm të industrisë, prodhimit dhe vendeve të reja të punës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



