Kartelat mjekësore të pacientëve të shtruar në pavijonin e Neuroshkencës në QSUT kanë nisur të dixhitalizohen. Për herë të parë, mjekët dhe infermierët e këtij pavijoni do të kenë akses në kohë reale në të dhënat shëndetësore të pacientëve, përfshirë imazhet, përgjigjet mjekësore dhe kërkesat për ekzaminime.
Sistemi i ri, që ka nisur të zbatohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mundëson regjistrimin e informacionit mjekësor dhe konsultimin e tij online nga personeli shëndetësor.
Sipas QSUT-së, kjo mënyrë e re e administrimit të kartelave synon të lehtësojë komunikimin mes mjekëve dhe infermierëve, të shkurtojë kohën e proceseve të punës dhe të përmirësojë kujdesin ndaj pacientëve.
Përveç administrimit të të dhënave shëndetësore, sistemi pritet të përdoret edhe për llogaritjen e kostove të shërbimeve spitalore, një hap që, sipas QSUT-së, do t'i shërbejë procesit drejt autonomisë financiare të spitalit.









Komente
Komento