Aktualitet

Ndotja e lumit Gjanica, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq kompaninë e përpunimit të naftës dhe drejtuesin teknik të saj

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga ujërat e ndotura të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “A” SHA, si person juridik, dhe drejtuesin teknik të saj, R.Sh.

Sipas hetimeve, ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure, të krijuara gjatë aktivitetit të uzinës në Drizë, janë shkarkuar në një përrua që derdhet në lumin Gjanica, pa iu nënshtruar trajtimit të përcaktuar në lejen mjedisore.

Analizat laboratorike kanë zbuluar se përqendrimi i produkteve të naftës në ujërat e shkarkuara ishte 13.8 mg/l, mbi kufirin e lejuar prej 10 mg/l. Gjendja e ujërave është klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.

Prokuroria thotë se drejtuesi teknik, megjithëse kishte dijeni për pikën e shkarkimit dhe mundësinë për të marrë masa, nuk ka ndërhyrë për ta mbyllur apo për të garantuar trajtimin e ujërave. Ndërsa shoqëria dyshohet se ka përfituar ekonomikisht duke shmangur kostot e trajtimit dhe transportit të tyre.

Për të dyja palët është ngritur akuza për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Provat e administruara përfshijnë aktet e inspektimit mjedisor, analizat laboratorike, këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ekspertimin teknik-mjedisor./TCH