Shqipëria regjistroi 341 milionë dollarë investime direkte jashtë vendit gjatë vitit 2025, duke u renditur në vendin e 29-të mes 41 ekonomive europiane. Të dhënat janë publikuar nga platforma ndërkombëtare Visual Capitalist, bazuar në “Raportin Botëror të Investimeve 2026”, të hartuar nga organizata e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin. Renditja tregon se, megjithëse Shqipëria mbetet larg ekonomive kryesore europiane, kapitali i investuar nga rezidentët e saj jashtë vendit është më i lartë se ai i disa vendeve të rajonit.
Në Ballkanin Perëndimor, Serbia kryeson me 1.35 miliardë dollarë investime direkte jashtë vendit, një shumë pothuajse katër herë më e lartë se ajo e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria pozicionohet përpara Maqedonisë së Veriut, e cila regjistroi 249 milionë dollarë, Bosnje Hercegovinës me 135 milionë dollarë dhe Malit të Zi me 76 milionë dollarë. Kosova nuk përfshihet në këtë renditje.
Në krahasim me vendet e tjera europiane, Shqipëria rezulton gjithashtu përpara Bullgarisë, e cila regjistroi 269 milionë dollarë investime jashtë vendit, por mbetet pas Rumanisë, me 679 milionë dollarë, dhe Sllovenisë, me 868 milionë dollarë. Këto diferenca tregojnë se shtrirja ndërkombëtare e kapitalit ndryshon ndjeshëm edhe ndërmjet ekonomive relativisht të vogla.
Në nivel europian, vendin e parë e mban Luksemburgu me 101.4 miliardë dollarë, i ndjekur nga Gjermania me 86.8 miliardë dollarë dhe Mbretëria e Bashkuar me 84.8 miliardë dollarë. Pozicioni i Luksemburgut lidhet pjesërisht me rolin e tij si qendër financiare ndërkombëtare, përmes së cilës kalojnë investimet e kompanive shumëkombëshe.
Sipas metodologjisë ndërkombëtare, investimet direkte jashtë vendit përfshijnë pjesëmarrjet në kapitalin e ndërmarrjeve të huaja, fitimet e riinvestuara dhe huatë ndërmjet kompanive të lidhura. Shifra prej 341 milionë dollarësh për Shqipërinë tregon fluksin neto të investimeve direkte jashtë vendit gjatë vitit 2025 dhe jo vlerën totale të investimeve të akumuluara ndër vite.











