Tetë vite pas festimit historik me shqiponjë, Shaqiri i rikthehet prapaskenave dhe rrëfen çfarë ndodhi ndaj Serbisë

Xherdan Shaqiri është rikthyer te një prej momenteve më të komentuara të karrierës së tij, festimi me shqiponjë gjatë ndeshjes Zvicër–Serbi në Kupën e Botës 2018.
Në një intervistë për median zvicerane “RSI Sport”, futbollisti shqiptar ka kujtuar emocionet dhe tensionet që shoqëruan atë përballje, duke zbuluar se para dhe gjatë ndeshjes kishte pasur provokime të shumta.
Shaqiri theksoi se për të rëndësi kishte fitorja në fushën e lojës dhe jo mesazhi politik që më vonë iu atribua festimit.
“Për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik”, u shpreh ai.
Futbollisti pranoi se gjesti i shqiponjës ishte një reagim emocional dhe se në atë moment emocionet kishin qenë të shumta, jo vetëm për të, por edhe për Granit Xhakën dhe kapitenin e atëhershëm të Zvicrës, Stephan Lichtsteiner.
Ai u ndal edhe te reagimi i opinionit zviceran, duke thënë se shumë njerëz nuk e kishin kuptuar historinë dhe domethënien që qëndronte pas atij veprimi.
Sipas Shaqirit, edhe mediat i kishin dhënë çështjes një dimension të tepruar, ndërsa sot gjesti nuk do të konsiderohej aq i rëndë sa në vitin 2018.
Kujtojmë se në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Botërorit në Rusi, Zvicra mposhti Serbinë me rezultatin 2-1. Granit Xhaka barazoi shifrat, ndërsa Shaqiri shënoi golin e fitores në minutën e 90-të. Të dy festuan me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Pas ndeshjes, FIFA mori masa disiplinore ndaj lojtarëve, duke i gjobitur për sjellje josportive. Megjithatë, ata nuk u pezulluan.
Një moment që, edhe tetë vite më pas, vazhdon të rikthehet në vëmendjen e opinionit sportiv.




