GTA VI ka gjeneruar mbi 1.5 miliardë dollarë pa e luajtur ende askush
Interesi për GTA VI nuk është zbehur pavarësisht pritjes së gjatë. Sipas vlerësimeve të kompanisë hulumtuese Sensor Tower, porositë paraprake për lojën tashmë kanë kaluar shifrën prej 1.5 miliardë dollarësh.
Krahasuar me lansimet e fundit të lojërave të tjera, suksesi i GTA VI është i pakrahasueshëm. Nëntë ditë para publikimit, loja kishte tejkaluar një miliard dollarë të ardhura nga porositë paraprake. Kjo është pothuajse dyfishi i të ardhurave që kishte realizuar në të njëjtën periudhë para lansimit Call of Duty: Modern Warfare II, loja më e shitur në SHBA gjatë vitit 2022.
Edhe loja paraprake e serisë, Grand Theft Auto V, pati sukses të jashtëzakonshëm. Ajo u bë loja më e shitur e vitit 2013 dhe vazhdon t'i sjellë kompanisë qindra miliona dollarë të ardhura çdo vit.
Një pjesë e madhe e këtij suksesi i atribuohet GTA Online, versionit me shumë lojtarë që u lansua disa javë pas publikimit të GTA V.
GTA Online u mundëson lojtarëve të bashkohen me të tjerë për të vazhduar eksplorimin e Los Santos, qytetit imagjinar të bazuar në Los Angeles, edhe pasi ta kenë përfunduar lojën kryesore, raporton CNN.
Ky version i dha Rockstar Games mundësi të gjeneronte të ardhura edhe përmes formave të tjera, përveç shitjes së lojës. Përmbajtjet dhe mënyrat e reja të lojës kanë mbajtur gjallë interesimin e lojtarëve, të cilët mund të shpenzojnë para të vërteta për blerjen e pajisjeve dhe përmirësimeve brenda lojës.
Vetëm GTA Online ka gjeneruar më shumë se pesë miliardë dollarë gjatë dekadës së fundit.
Interesimi i vazhdueshëm për këtë seri ka ndihmuar që Grand Theft Auto të bëhet një nga ekskluzivitetet më të suksesshme të lojërave në histori.
Në mesin e serive dhe lojërave më të shitura në botë janë Tetris, klasikja e vitit 1984, Pokémon, e cila u bë e njohur gjatë viteve 1990, si dhe seria e lojërave me qitje Call of Duty.
Grand Theft Auto aktualisht është vetëm 40 milionë kopje larg vendit të parë në këtë renditje. Mbetet të shihet se si do të ndryshojë lista pas publikimit të GTA VI.















