Rruga Qafë Buall-Krastë, që lidh Bulqizën me zonën e Martaneshit ofro 17 kilometra është bllokuar sot në orët e mëngjesit pas shembjes së një masivi të madh dheu nga anësoret e rrugës  pranë vendit të quajtur si Ura e Luçanës. Si pasojë e rrëshqitjes së shkëmbinjve, qarkullimi në këtë aks është ndërprerë plotësisht, ndërsa disa automjete kanë mbetur të bllokuara në të dyja anët e zonës së shembjes. Firma kontraktore e ndërtimit të rrugës po merret me hapjen e saj dhe kthimin në normalitet të qarkullimit të saj.

Ky segment rrugor po i nënshtrohet një investimi me vlerë rreth 11 milionë euro, i cili përfshin stabilizimin e skarpatave përmes vendosjes së rrjetave dhe betonimit, si dhe shtrimin e rrugës me asfalt. Investimi vjen si vazhdim i një projekti të mëparshëm, që kishte në fokus zgjerimin e trasesë dhe parashikonte gjithashtu asfaltimin e rrugës 17 kilometra të gjatë nga qafa e buallit deri në Martanesh. Në total, vlera e dy tenderëve arrin në rreth 22 milionë euro për rehabilitimin e këtij aksi rrugor.

Në tetor të këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) përmbylli procedurën e re të prokurimit për “Plotësimin e punimeve në rrugën Qafa e Buallit–Martanesh, ku fitues u shpallën sërish bashkimi i operatorëve ekonomikë “BE-IS” sh.p.k., “ERGI” dhe “Vëllezërit Hysa”, i njëjti konsorcium që kishte fituar edhe kontratën e parë për rehabilitimin e aksit.

Procedura e re u hap nga ARRSH pasi punimet e kontratës së parë, të nisura në shkurt 2024, nuk arritën të përfundonin të gjithë ndërhyrjet e parashikuara në aksin prej 16.5 kilometrash. Në dhjetor 2023, ARRSH kishte lidhur kontratën e parë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Qafa e Buallit–Martanesh me të njëjtin bashkim kompanish, me një vlerë prej rreth 947.6 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 11 milionë euro.

Punimet nisën më 27 shkurt 2024 dhe, sipas kontratës fillestare, duhej të përfundonin brenda 13 muajve, pra në pranverën e vitit 2025. Por, edhe pse në terren u kryen gërmime dhe ndërhyrje të tjera, një pjesë e konsiderueshme e punimeve mbeti pa përfunduar. Për këtë arsye, ARRSH zhvilloi një procedurë të re për plotësimin e punimeve.

Në gusht 2026, institucioni kishte përcaktuar për këtë fazë një fond limit prej 1,040,727,690 lekësh pa TVSH, ose rreth 11.17 milionë euro. Në përfundim të procedurës, kontrata iu dha konsorciumit me vlerën 952.9 milionë lekë.

Kështu, duke marrë në konsideratë kontratën e parë dhe atë të dytë, vlera e dy procedurave arrin në rreth 1.9 miliardë lekë pa TVSH, ose afërsisht 20.4 milionë euro pa TVSH. Me vlerat e referuara në dokumentacionin e projektit, investimi total raportohet rreth 22 milionë euro.