
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë politik kundër qeverisë së Edi Ramës. Sipas tij, ky bashkim do të ketë një koncept të ri dhe do të ndryshojë nga koalicionet e krijuara në Shqipëri që prej vitit 1991.
Berisha tha se synimi është bashkëpunimi me çdo forcë politike, grup interesi apo faktor tjetër që e konsideron qeverisjen e Ramës si problemin kryesor të vendit. Ai theksoi se secila forcë do të ruajë identitetin e saj dhe se në këtë bashkim mund të përfshihen edhe grupime që kanë qëndrime kundër Partisë Demokratike.
“Ne po punojmë, vetëm se ky koalicion është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga 1991 deri më sot. Kjo do të thotë përpjekjen e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij. Një bashkim duke ruajtur të gjitha identitetet. Një bashkim edhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër PD-së”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut të demokratëve, qëllimi i këtij bashkimi është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe krijimi i një qeverie që do të garantojë një kuadër të ri ligjor për zgjedhjet, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Berisha u shpreh se çdo forcë politike duhet të ketë mundësinë të paraqesë alternativën e saj përpara qytetarëve, të cilët do të vendosin me votë.
I pyetur edhe për reformën zgjedhore, kryetari i PD-së tha se propozimet e paraqitura nuk përfaqësojnë vetëm kërkesat e Partisë Demokratike, por qëndrimin e të gjithë spektrit opozitar.
“Ato që kemi paraqitur ne janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar. E rëndësishme është që atyre t’u dalë zot i gjithë spektri opozitar”, deklaroi Berisha.