Vincent Kompany siguron të gjithë për gjendjen e tij: Jam shumë mirë
Sipas xhaxhait të mesfushorit 22-vjeçar, Celia Cuccitini i ka bërë një deklaratë emocionuese talentit të Comos, duke e cilësuar si pasardhësin e Lionel Messit.
Nico Paz po shkëlqen me paraqitjet e tij si në fanellën e Comos, ashtu edhe në atë të kombëtares së Argjentinës. Mesfushori 22-vjeçar është kthyer në një nga emrat më të diskutuar për të ardhmen e përfaqësueses argjentinase, ndërsa së fundmi ka marrë edhe një vlerësim të veçantë nga një person shumë i afërt me Lionel Messin: nëna e tij.
Një episod mjaft emocionues është zbuluar nga xhaxhai i futbollistit, Fabian Paz, gjatë një interviste për “Radio La Red”. Ai ka treguar se Celia Cuccitini pati mundësinë të takonte Nico Pazin pas një ndeshjeje të kombëtares argjentinase dhe i bëri një deklaratë që mesfushori nuk do ta harrojë lehtë.
“Nico doli nga dhomat e zhveshjes dhe aty ishte nëna e Messit, e emocionuar dhe me lot në sy. Ai shkoi ta përshëndeste, pasi njiheshin, dhe ajo i kapi dorën duke i thënë: ‘Ti je pasardhësi i djalit tim’”, rrëfeu xhaxhai i futbollistit.
Një moment i veçantë për Pazin, i cili nuk e priste një vlerësim të tillë nga nëna e futbollistit që konsiderohet si një prej më të mëdhenjve në historinë e futbollit. Megjithatë, pavarësisht krahasimeve që kanë nisur të bëhen mes dy lojtarëve, Nico Paz preferon të qëndrojë me këmbë në tokë. Sipas xhaxhait të tij, mesfushori nuk e konsideron veten pasardhës të Messit dhe as nuk dëshiron të mbajë mbi supe një etiketë të tillë.
“Nico është shumë i qetë dhe modest. Ai nuk e konsideron veten pasardhës të Messit. Për të, gjëja më e rëndësishme ishte mundësia për ta takuar dhe për të luajtur përkrah idhullit të tij. Ishte sikur të prekje qiellin”, përfundoi Fabian Paz. Vlerësimi i veçantë i Celia Cuccitinit është një tjetër tregues i pritshmërive që po krijon talenti i ri argjentinas, i cili po ndërton gradualisht emrin e tij në futbollin europian.
Top Channel