Pasi e mbylli me Portugalinë, Cristiano Ronaldo pritet të nisë një tjetër sfidë. Këtë herë jashtë fushave të futbollit.
Ylli luzitan ka vendosur të hyjë në botën e kinematografisë përmes pjesëmarrjes në “Day 1s”, një serial që zhvillohet në botën konkurruese të biznesit të futbollit britanik, ku do të shfaqet edhe legjenda franceze, Thierry Henry.
Pas një karriere plot tituj dhe rekorde, sulmuesi portugez do të provojë veten për herë të parë jo vetëm si aktor, por edhe si producent ekzekutiv i këtij projekti të ri.
Ai do ta bëjë këtë përmes kompanisë që CR7 dhe regjisori Matthew Vaughn themeluan në vitin 2025, ndërsa platforma të ndryshme transmetimi tashmë po konkurrojnë për të siguruar të drejtat e shpërndarjes së serialit.
Roli kryesor në këtë serial I është besuar aktorit Damian Leëis, i cili do të interpretojë rolin e Stanley Dalton, një agjent me ndikim në futboll, i përfshirë në marrëdhënie komplekse pushteti që lidhen me këtë sport.
Seriali synon të eksplorojë prapaskenat e futbollit profesionist, duke shfaqur negociata konfidenciale, beteja për pushtet, interesa ekonomike, si dhe vendime të agjentëve që mund ta transformojnë karrierën e një futbollisti brenda pak orësh.
Nga ana e tij, Cristiano ishte shfaqur tashmë në televizion falë serialit dokumentar të Netflix për të fejuarën e tij të ardhshme, Georgina Rodríguez, si dhe filmit të tij biografik “Ronaldo”, të publikuar në vitin 2015.
Megjithatë, hyrja e CR7-ës në fushën e kinemasë vjen në një kohë kur ylli portugez vazhdon të diversifikojë bizneset e tij jashtë futbollit. Vitet e fundit, ai ka investuar në sektorë si moda, hoteleria dhe media audiovizive, duke konsoliduar një markë personale që i kapërcen kufijtë e sportit.
Me këtë projekt, fituesi pesë herë i çmimit “Ballon d’Or” i shton një dimension të ri karrierës së tij dhe dëshmon se ambicia e tij shkon shumë përtej fushës së lojës, duke përqafuar një rrugëtim që synon të lërë gjurmë edhe në industrinë e argëtimit.


