Kreu i PD-së, Sali Berisha shpjegoi nga selia blu pse opozita votoi kundër projektbuxhetit të vitit 2027. Ai renditi tri kritika për buxhetin prej 10 miliardë eurosh. Fondet që, sipas tij janë të pamjaftueshme për pensionistët, shpenzimet operative të administratës dhe rritjen e parashikuar të pagave.
Sipas tij, për 760 mijë pensionistë janë parashikuar 300 deri në 350 milionë euro, ndërsa fondi duhet të rritet në 700 milionë euro.
“Në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 për qind e GDP-së. Iu janë lënë gjithsej 300–350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta.
Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300–350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë. Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët. Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative. Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje. Krim, krim i shëmtuar. Këtu janë futur edhe paratë e check-up-it, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij”, tha Berisha.
Berisha kritikoi edhe dyfishimin e bonusit për pensionistët, duke e cilësuar të pamjaftueshme.
“Ka tallje me pensionistët. T’ua dyfishojmë këtë që u dhamë vitin e kaluar. Po çfarë u dhatë vitin e kaluar? Njerëz të pashpirt. U dhatë thërrime dhe grimca qesharake. Dhe tani bërtasin dhe po i lumturojnë se po u dyfishojnë atë që dhanë vitin e kaluar. Paratë janë që të gjitha. Absolutisht pa asnjë lloj pasoje negative, përveçse shumë pozitive sepse i nxjerr nga dhimbja. Pra, dyfishim i menjëhershëm”, vijoi ai.
Për pagat, kreu i PD-së propozoi rritje me 50 për qind për pagat e ulëta dhe me 30 për qind për pagat e mesme, duke kërkuar që pagat e larta të mbeten në nivelin aktual.
“Ka rritur vetëm rrogat e narkobanditëve. 2500 euro për të rrahur, për të torturuar, për të masakruar të rinjtë në protestë. Rritje me 50 për qind të rrogave të ulëta. Me 30 për qind të rrogave të mesme. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Asnjë qindarkë! Po, rrogat e ulëta do rriten.
“Rritja e parashikuar e rrogave është qesharake. Pra, rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind. Rrogat e mesme me 30 për qind. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Pse? Se janë më të lartat në rajon në paturpësinë më të madhe. Në qoftë se një rrogë mesatare, krahasuar me mesataren e BE-së, është 15–20 për qind e saj, rroga e lartë shkon ndonjëherë edhe më e lartë se rrogat e BE-së, ndonjëherë shkon tek 70 për qind e tyre. Ato nuk duhet të preken. Ato të mbahen aty ku janë”, vijoi Berisha.
Sali Berisha i qëndron propozimit të demokratëve për vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh.
“Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm. Ndaj dhe ne deklarojmë se vendosja e minimumit jetik në mënyrë që të mos ketë pension nën 200 euro, asnjë. Dhe kur them pension, them pension të pjesshëm, jo të plotin. Të mos ketë shqiptar që firmos nën 200 euro. As rrogë papunësie, as ndihmë ekonomike. Pra, në rast se ky buxhet do të trajtonte realitetin, do u jepte përgjigje problemeve të mëdha të realitetit shqiptar, kurrë nuk do mund të ishte paraqitur siç u paraqit”, u shpreh kreu i PD.








Komente
Komento