VIDEO/ “Cheget” shfaqet në Kinë, çfarë fshihet pas çantës misterioze që shoqëron Putinin kudo?

Çanta e famshme bërthamore e presidentit rus Vladimir Putin është vënë re gjatë vizitës së tij në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut, ku ai u takua me homologët Donald Trump dhe Xi Jinping.
Pamjet e publikuara tregojnë një oficer të marinës ruse duke mbajtur një çantë të zezë pranë delegacionit të presidentit rus. Gjatë një komunikimi me gazetarët, oficeri u pyet nëse bëhej fjalë për çantën bërthamore dhe konfirmoi se ishte pikërisht ajo.
E njohur me emrin “Cheget”, pajisja është pjesë e sistemit rus të komandimit dhe komunikimit bërthamor. Ajo i mundëson presidentit rus të mbajë komunikim me strukturat më të larta ushtarake dhe të përcjellë autorizimet që lidhen me përdorimin e arsenalit bërthamor.
Ndryshe nga perceptimi i krijuar shpesh në filma, çanta nuk përmban një buton të vetëm për lëshimin e raketave bërthamore. Ajo funksionon si një terminal i sigurt komunikimi, i cili është pjesë e një sistemi më të gjerë komandimi dhe kontrolli.
Shfaqja e saj në Kinë tërhoqi vëmendjen edhe për faktin se pajisja shoqëron Putinin në udhëtimet e tij jashtë vendit, duke qenë një element i rëndësishëm i sigurisë dhe komandimit strategjik të Rusisë.
Prania e çantës në një samit ku u diskutua edhe për çarmatimin bërthamor dhe përgjegjësinë e fuqive të mëdha për ruajtjen e paqes ndërkombëtare, i dha pamjeve një vëmendje të veçantë.




