Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “A” SHA, që ushtron aktivitet në përpunimin e naftës, si dhe drejtuesin teknik të saj, R.Sh. Të dy akuzohen për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.
Nga hetimet ka rezultuar se ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure, të krijuara gjatë aktivitetit të uzinës në Drizë të Fierit, janë shkarkuar në një përrua që derdhet në lumin Gjanica, pa iu nënshtruar procesit të trajtimit të përcaktuar në lejen mjedisore.
Analizat laboratorike kanë evidentuar një përqendrim të produkteve të naftës prej 13.8 mg/l, duke tejkaluar kufirin e lejuar prej 10 mg/l. Për shkak të nivelit të ndotjes, gjendja e ujërave është klasifikuar në Klasën V, që konsiderohet gjendje e keqe.
Sipas Prokurorisë, drejtuesi teknik i uzinës kishte dijeni për shkarkimin e ujërave të ndotura, por nuk kishte marrë masa për ndërprerjen e tij apo trajtimin e tyre. Ndërkohë, shoqëria dyshohet se ka përfituar ekonomikisht duke shmangur shpenzimet për trajtimin dhe transportimin e ujërave të ndotura.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka administruar si prova aktet e inspektimit mjedisor, rezultatet e analizave laboratorike, këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ekspertimin teknik-mjedisor.
Kompania dhe drejtuesi teknik i saj do të përballen në gjykatë me akuzën e parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.










