
Në vijim të vizitës së saj në Elbasan, Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetja për zhvillimin e aktiviteteve sportive në qytet.
Gjatë takimit, Ambasadorja shprehu mbështetjen e Ambasadës Kineze për Drejtorinë e Përgjithshme të Kulturës dhe Sporteve, duke bërë të ditur gatishmërinë për të kontribuar me pajisje sportive, veçanërisht për disiplinën e ping-pongut. Kjo mbështetje synon të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin e kësaj disipline, si dhe për nxitjen e përfshirjes së të rinjve në aktivitetet sportive.
Bashkëpunimi në fushën e sportit dhe kulturës shihet si një tjetër mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes Elbasanit dhe Kinës, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe shkëmbimi përvojash, veçanërisht në funksion të brezit të ri.